Ndezi zjarr për të djegur mbeturinat, flakët përfshinë ullinjtë dhe banesën, arrestohet 33-vjeçari në Mallakastër

Një 33-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Mallakastër, pasi dyshohet se ndezi zjarr për të djegur mbeturina në tokën e tij, por flakët u përhapën për shkak të erës së fortë dhe shkaktuan dëme në sipërfaqet përreth.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi në fshatin Mollaj, ndërsa i arrestuari është shtetasi Dionis Kalemaj, banues në Ballsh. Si pasojë e përhapjes së zjarrit, u dëmtuan disa ullinj, ndërsa flakët përfshinë edhe çatinë e një banese.
Pas njoftimit, në vendngjarje shkuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër dhe forcat zjarrfikëse, të cilat ndërhynë për shuarjen e vatrave. Fatmirësisht, nga zjarri nuk pati persona të lënduar.
33-vjeçari akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Policia u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin djegien e mbetjeve bujqësore apo pastrimin e tokave përmes zjarrit, pasi flakët mund të përhapen në mënyrë të pakontrolluar dhe të shkaktojnë dëme të rënda në njerëz, prona dhe mjedis.




