Çelet në Tiranë panairi “Ecge 2026”, teknologjia transformon sektorin energjitik dhe atë të ndërtimit

“Faleminderit që erdhët dhe jam shumë e kënaqur që ta hap këtë panair sot këtu, me të gjitha bizneset që na kanë shoqëruar, dhe ta vazhdojmë këtë project”, u shpreh Enejda Sheku, Ceo & Co-Founder, I-Exhibitions.
Për të pestin vit radhazi, në Tiranë u mbajt Panairi i Energjisë, Ndërtimit dhe Ekonomisë së Gjelbër, ku bizneset private patën mundësinë të prezantonin produktet dhe shërbimet e tyre, me fokus të veçantë te zhvillimi i sektorit të gjelbër dhe teknologjitë e qëndrueshme.
“Vega Group është një biznes i fokusuar në tregun energjetik dhe konkretisht në panelet fotovoltaike, ku që prej vitit 2018 ofrojmë zgjidhje 360 gradë, qoftë për instalimin e paneleve, mirëmbajtjen, por edhe testime të tjera”, tha Seldi Sulejmani, Business Development Manager, Vega Group.
“MEPS Albania është krijuar në vitin 2017, ku prej gati 10 vitesh merremi me furnizimin dhe ndërtimin e sistemeve fotovoltaike, duke sjellë në treg teknologjinë më të fundit”, tha Aida Mufani, Electrical Engineer & Coo, Meps Albania.
“Si kompani, jemi një grup që mbulojmë materialet elektrike dhe implementimin e projekteve të mëdha. Është një kompani me mbi 30 vite në treg, e fokusuar në sektorin inxhinierik”, tha Andi Saliaj, Sales & Marketing Director, ITE Group.
“Jemi ndër kompanitë kryesore për sa i përket instalimit të paneleve, baterive, inverterëve apo aksesorëve të tjerë. Po lind nevoja për sisteme hibride, që të mos jenë të varura vetëm nga furnizimi me energji elektrike nga rrjeti, por të shfrytëzojnë edhe energjinë diellore”, tha Julian Bytyçi, Head of Sales Department, E-Saving.
Ndërsa teknologjia po transformon sektorin energjetik dhe atë të ndërtimit, një rol gjithnjë e më të rëndësishëm po merr edhe telekomunikacioni, duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit dhe lidhjen mes bizneseve dhe konsumatorëve.
“Vodafone është pozicionuar si partneri kryesor i bizneseve, kryesisht në rrjetin 5G. Ne sot bashkojmë konektivitetin me shërbimet IT, sigurinë kibernetike apo edhe shërbime të tjera, me një qëllim të qartë: të jemi partneri kryesor drejt transformimit digjital”, tha Evi Hoxha, Vodafone Business Director.
Panairi do të qëndrojë i hapur edhe te premten, ndërsa pjesë e tij pritet të jenë edhe ekspertë të sektorit nga vende të ndryshme, të cilët do të ndajnë përvojat dhe risitë më të fundit në fushën e energjisë, ndërtimit dhe ekonomisë së gjelbër.




