E enjte, 19 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

ILD kërkoi uljen e pagës deri në 40% , KLP zbut masën disiplinore për prokuroren e Dibrës

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka pranuar pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për caktimin e një mase disiplinore ndaj magjistrates S.Q., prokurore pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.

Në përfundim të shqyrtimit, KLP ka vendosur t’i caktojë prokurores masën disiplinore “Vërejtje publike”, ndërsa ILD kishte kërkuar një masë më të rëndë, atë të uljes së pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit.

Kërkesa e ILD-së erdhi pas një hetimi disiplinor të nisur kryesisht, gjatë të cilit u evidentuan shkelje në zbatimin e legjislacionit procedural penal nga ana e prokurores.

Sipas raportit të ILD-së, prokurorja kishte refuzuar t’i përcillte Gjykatës së Apelit informacionin e kërkuar, duke e argumentuar qëndrimin e saj me ruajtjen e sekretit hetimor. Gjykata e kishte vlerësuar këtë qëndrim si zbatim të gabuar të legjislacionit procedural penal, i cili kishte ndikuar në shqyrtimin e masës së sigurimit dhe kishte kufizuar mundësinë e gjykatës për të shqyrtuar plotësisht ankimin në një çështje që lidhej me të drejtën e individit për liri.

Reklamë

ILD vlerësoi se prokurorja kishte vijuar me të njëjtin qëndrim, pavarësisht njohurive dhe përvojës së saj profesionale. Sipas Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kjo sjellje përbënte shkelje të rëndë disiplinore, ndaj së cilës kërkohej një masë më e ashpër.

Në përfundim, bazuar në nenin 102, pika 2, shkronja “a”, të ligjit nr. 96/2016, të ndryshuar, ILD i kërkoi KLP-së uljen e përkohshme të pagës deri në 40 për qind, për një periudhë deri në një vit.

Megjithatë, KLP vendosi të pranojë vetëm pjesërisht kërkesën e ILD-së, duke caktuar ndaj prokurores S.Q. masën disiplinore “Vërejtje publike”.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.