Të gjithë projektuesit duhet të pajisen me firmë elektronike brenda muajit korrik. Që në datën 1 shtator aplikimi online për lejet e ndërtimit do të bëhet i detyrueshëm, çka bën që nëse dikush nuk ka nënshkrimin elektronik, nuk mund të kërkojë dot leje ndërtimi. Në një takim me arkitekte dhe ndërtues, ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni tha se po synohet që leja e ndërtimit online të mos mbetet vetëm te procesi i aplikimit, por të shtrihet në të gjitha hallkat e tjera.
“Kemi filluar vetëm me aplikimin online për lejet e ndërtimit, ndërkohë që gjithë procesi i dixhitalizimit të dokumentacionit që disponojnë institucione të tjera, si për shembull, zyra e regjistrimit të Pasurive etj., është një hap që duam ta realizojmë më tej, duke qenë të ndërgjegjshëm se procesi është vështirë. Ne mirëpresim sugjerimet tuaja se si mund të përmirësohet ky proces”.
Ministria e zhvillimit urban u ka kërkuar grupeve të interesit që të dërgojnë mendimet për ligjin e ri të kontrollit dhe disiplinimit të punimeve. Ky ligj synon të përcaktojë qartë kompetencat e pushtetit vendor dhe inspektorateve të tij, por po ashtu licencon edhe ekspertë të pavarur që kontrollojnë punimet.