Dikur “Korea e Veriut e Europës,” tashmë Shqipëria mund të krenohet me të ardhura në nivelin sa 25% e të ardhurave të Gjermanisë, rritje dyshifrore të eksportit dhe një valutë që po forcohet. Kjo tregon se ekonomistët dhe institucionet shumëpalëshe që fajësohen sot për çdo rezultat zhgënjyes nuk janë të padobishme. 

TIRANË – Pesë vite më parë, Shqipëria përballej me një situatë shumë të errët. Me Greqinë dhe Italinë që shkundeshin nga kriza ekonomike, remitancat dhe të ardhurat në buxhet reduktoheshin në mënyrë të vazhdueshme dhe ekonomia pësoi një ngadalësim të rëndë. Defiçiti fiskal tejkaloi 7% të PPB,  e financohej vazhdimisht nga borxhet e brendshme (të paguara me shumë vonesë), sepse aksesi në tregun e huaj financiar ishte reduktuar dhe normat e brendshme të interesit ishin tmerrësisht të larta.

Për më tepër, kompania e shpërndarjes së energjisë ishte në krizë operacionale dhe financiare, e paaftë të paguante për energjinë elektrike që duhej të blinte nga kompanitë e prodhimit. Borxhet e qeverisë dhe të kompanisë së energjisë elektrike nxitën një rritje të kredive me probleme në sistemin bankar. Të gjithë përbërësit e një rezultati katastrofik ishin të pranishëm.

Në të tashmen: ekonomia po rritet me një normë të fuqishme prej 4.2%, udhëhequr nga rritja e eksporteve me dy shifra në bujqësi, miniera, industrinë prodhuese, energji, turizëm dhe shërbime.

Në një kohë kur ekonomitë e vendeve në zhvillim, në vende si Argjentina, Turqia, Nigeria dhe Afrika e Jugut përballen me rënie të monedhës dhe rritje të normave të interesit, Shqipëria shënon normat e saj më të ulëta të interesit të regjistruara ndonjëherë dhe një monedhë që po forcohet. Tani ajo ka borxhin publik më të ulët krahasuar me çdo vend në të njëjtin grup klasifikimi, që dëshmon se tregjet mendojnë që agjensitë e vlerësimit nuk e kanë gjithmonë saktë.

Dikur Koreja e Veriut e Europës nën diktatorin komunist Enver Hoxha, niveli i të ardhurave për kokë në Shqipëri tani është sa 25% e Gjermanisë. Nëse ruan normën aktuale të rritjes, do të arrijë të ardhurat aktuale të Gjermanisë pas 32 vitesh.

Ndërkohë qe ekonomistët fajësohen për të gjitha llojet e rezultateve zhgënjyese dhe institucionet shumëpaleshe si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore akuzohen se nuk i kanë këshilluar vendet siç duhet, po vërehet se ato nuk janë tërësisht të padobishme.

Cili ishte sekreti i kthesës së Shqipërisë?

 

Së pari, ndryshe nga shumë vende që vonojnë të veprojnë deri sa bëhet tepër vonë, Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje FMN-së sapo mori pushtetin në shtator të 2013-ës. Qeveria e tij më pas negocioi një program që i mundësonte Shqipërisë mbështetje financiare ndërsa kjo e fundit sistemonte ekonominë. Programi trevjeçar përfundoi me sukses thuajse dy vjet më parë dhe raporti i borxhit ndaj PBB mbetet në trajektore rënëse. Këtë vit, borxhi është ulur me 2.5% të PBB-së, ndërsa vendi po zgjeron në mënyrë të konsiderueshme buxhetin e investimeve publike.

Që të mund të rritet duke konsoliduar njëkohësisht financat publike, duhet që diçka tjetër ta tërheqë ekonominë përpara, e zakonisht këtë e bëjnë eksportet. Dhe eksportet po rriten në Shqipëri; ku unë kam drejtuar një qendër të Harvardit për kërkime mbi Zhvillimin Ndërkombëtar që nga viti 2013; jo prej rastësisë, por falë mundimeve të vazhdueshme për të hequr pengesat dhe për të shfrytëzuar mundësitë.

Në këtë proces, Shqipëria zmbrapsi tundimin për t’u përqëndruar tek treguesit e përgjithshëm të bërjes së biznesit, që pretendojnë se ndjekja rastësore e praktikave më të mira ndërkombëtare mund të bëjë dobi. Në vend të kësaj, autoritetet ndoqën një qasje diagnostifikuese për të zgjedhur politikat prioritare. Nën udhëheqjen e Matt Andreës i Shkollës së Qeverisjes ‘Harvard Kennedy’, politikëbërësit përdorën një strategji të bazuar në një proces të vazhdueshëm I përqëndruar te problemet, i cili nis me identifikimin e një problemi, të shkaqeve të tij dhe gjen mënyra për ta zgjidhur.

Nga kjo lindën shumë ide që rezultuan të suksesshme. Në bujqësi, idetë e reja ndihmuan fermerët e vegjël të përdornin teknologji më të mira dhe të fitonin akses në tregje më fitimprurëse, duke sjellë një bum në eksportet e perimeve. Në sektorin e energjisë, qeveria miratoi një strategji të pazakontë për të ndryshuar sjelljen e qytetarëve lidhur me vjedhjen dhe mospagesën e energjisë elektrike, gjë që u reflektua në një rritje prej gati 2% të PPB-së së vitit 2015 në fluksin e parasë së kompanisë shpërndarëse.

Në mënyrë të ngjashme, grupet këshilluese në prodhim dhe turizëm identifikuan pikat ku kishte nevojë për përmirësim. Shqipëria ka investuar në rimëkëmbjen e qyteteve të saj historike dhe tani po investon në 100 fshatrat me potencial të fortë agro-turizmi që ndodhen në zonat që janë të varfra dhe të paprekura. Nuk është çudi që turizmi po rritet me ritme dyshifrore.

Për më tepër, ambasadorët shqiptarë tanimë udhëhiqen nga një strategji e bashkërenduar për të nxitur investimet e huaja nëpërmjet ndërmjetësimit të drejtpërdrejtë me firmat. Politikëbërësit po angazhojnë diasporën shqiptare me shumë sukses, që është një burim i rëndësishëm i talenteve, investimeve, mundësive të tregut dhe ideve të biznesit.

Risitë nuk kanë ardhur vetëm në nivel kombëtar. Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka trefishuar të ardhurat bashkiake në krahasim me vitin 2015 kur ai mori detyrën dhe ka përdorur të ardhurat në mënyra që e kanë bërë qytetin një nga më të këndshmit në rajon. Kryeqyteti i Shqipërisë ka fituar çmime europiane për zhvillimin e hapësirave urbane të cilësisë së lartë dhe për zgjidhjen e lëvizshmërisë dhe problemeve mjedisore në mënyra inovative.

Mësimi për vendet e tjera është i qartë. Suksesi përballë vështirësive arrihet kur qeveritë janë të vetëdijshme për situatën e vështirë dhe dobësitë e tyre, mund t’i artikulojnë dhe t’i arrijnë qëllimet dhe të kërkojnë pa ndalim mënyra për të realizuar aspiratat e tyre. Në këtë proces, shtetet nuk janë vetëm. Sistemi ndërkombëtare i ndihmës financiare udhëhequr nga FMN dhe institucionet e zhvillimit financiar mund të jetë shumë i dobishem. Megjithatë vendet duhet të kuptojnë se kur dhe si t’i përdorin ato sa më mirë. Të huajt mund të zgjerojnë kapacitetin e qeverisë, por nuk mund të zëvendësojnë përkushtimin e kësaj të fundit.

 

Mësimi për Bashkimin Europian është gjithashtu i qartë: kur vlerësoni për të pranuar vende si Shqipëria dhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor, është me rëndësi të shikoni jo vetëm atë që këto vende janë apo kanë qenë, por edhe zellin me të cilin punojnë për të përmbushur aspiratat e tyre.

Në pjesën më të madhe të historisë së saj, Shqipëria dukej e pashpresë, por e pashpresë do te ishte vetëm nëse sillet si e tillë. Tani kthesa e Shqipërisë është një burim shprese për ne të tjerët.

Burimi:Project Syndicate

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *