Ministria e Punëve të Brendshme njofton se është shtuar numri i denoncimeve për rastet e dyshuara të veprës penale të shit-blerjes së votave dhe intimidimit të votuesve. Pranë grupeve të posaçme të ngritura në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit kanë mbërritur qindra denoncime që flasin për një fenomen në rritje të tentativave për blerje të votave.

 

Në këto kushte, Ministria e Punëve Brendshme iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos bien pre e personave që kryejnë këtë vepër penale e cila dënohet me ligj. I inkurajojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë çdo rast të tentativës për blerje të votës apo intimidime të tjera në numrin e Policisë së Shtetit 112 ku anonimiteti i denoncuesit është i sigurt dhe për raste të abuzimit të punonjësve të policisë me detyrën në numrin falas 08009090.

 

Sqarojmë të gjithë qytetarët se për shkak të kufizimeve të posaçme ligjore për rolin e policisë së Shtetit gjatë ditës së zgjedhjeve, të denoncojnë zyrtarisht në numrin 112 në mënyrë që Policia e Shtetit të veprojë për të vendosur para ligjit abuzuesit.

 

U bëjmë thirrje edhe anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit që për çdo rast parregullsie të njoftojnë KZAZ-në, e cila është autoriteti ligjor që duhet të njoftojë Policinë e Shtetit për të rikthyer normalitetin në Qendrat e Votimit.

 

Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj garanton të gjithë qytetarët se çdo krim elektoral do të ndëshkohet me rreptësi sipas parashikimeve ligjore. Ai u bën thirrje edhe subjekteve politike që të ulin tensionet dhe të punojmë bashkërisht për një proces zgjedhor të qetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *