Ambasadori britanik, Duncan Norman e ka cilësuar arritjen e konsensusit mes palëve politike për reformën zgjedhore si një hap pozitiv për integrimin në Bashkimin Evropian.

Nga Feri, diplomati britanik theksoi se tani është radha e klasës politike për ta përfunduar draftin final dhe për ta kaluar sa më shpejt për miratim në parlament. 

“Kemi qenë mbështetës të mëdhenj të reformës zgjedhore gjatë gjithë procesit. Është shumë e rëndësishme se është një hap drejt hyrjes në BE. Garanton që zgjedhjet e ardhshme të jenë më të mira. Mund të ketë reforma të tjera në të ardhmen me ndryshime, por kjo nuk do të thotë se ajo që kemi sot nuk është e rëndësishme. Këshilli Politik erdhi me një marrëveshje dhe hapi tjetër është që kjo të shkojë në parlament dhe unë shpresoj shumë që parlamenti ta kalojë”.

I pyetur në lidhje me çështjen e ndryshimit të sistemit zgjedhor, ambasadori deklaroi se për ndërkombëtarët prioritet mbetet vetëm zhvillimi i zgjedhjeve të rregullta.   

“Realiteti është se ka shumë sistemi elektorale në botë dhe patjetër cdo demokraci ka mekanizma të ndryshme që e bëjnë të funksionojë. Nuk do të ishte e drejtë të thosha se cila është forma e duhur për të bërë demokracinë në Shqipëri. Por ajo që është me rëndësi, është se cdo sistem të implementohet si duhet dhe pa korrupsion. Dhe ajo është cfarë ne duam të shohim, që zgjedhjet të jenë të drejta”.

Diplomati britanik, Duncan Norman së bashku me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim si dhe atë të BE-së, Luigi Soreca luajtën një rol vendimtar në tryezën e Këshillit Politik për arritjen e një konsensusi për reformën zgjedhore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *