Subscribe

Prishja e pazareve të drogës dhe ajo e konflikteve të mëparshme janë dy pistat ku po heton policia për atentatin me eksploziv në Vlorë, ku mbeti i plagosur 34-vjeçari, Indrit Sadedini.

 

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, sipas burimeve të grupit hetimor, shihet një person me kapuç në kokë i cili afrohet në vendngjarje 15 minuta para se të ndodhe shpërthimi.

 

Ai hedh një pako të dyshimtë në tokë e mbulon me kartona që të mos duket e më pas largohet i qetë në këmbë.

 

I njëjti person, sipas burimeve shihet më pas të lëvize me motor disa herë rreth lagjes.

 

Lënda plasëse shpërtheu në momentin që Indrit Sadedini doli nga garazhi dhe iu afrua trotuarit.

 

Sipas hetuesve, mina ishte montuar me telefon. Ndërkohë po verifikohen edhe kamerat e bizneseve të tjera rreth perimetrit zonës pasi referuar dinamikës së ngjarjes, dyshohet se autori e ka mbajtur në vëzhgim, 34-vjeçarin para se të shtypte butonin për aktivizimin e minës.

 

Lidhur me atentatin, policia shoqëroi gjashtë persona të cilët u morën në pyetje. Ndërkohë po vazhdon puna për identifikimin e personit që shfaqet në kamerat e sigurisë.

 

Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë në lagjen “10 korriku”. Si pasojë e shpërthimit, 34-vjeçari Indrit Sadedini mori dëmtime të shumta në pjesën e gjymtyrëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *