Subscribe

Presidenti Ilir Meta u shpreh mjaft i shqetësuar këtë të premte për borxhet dhe gjyqet që Shqipëria humbet në gjykatat e huaja. Në komunikimin javor me gazetarët, Meta bëri thirrje që të hiqet dorë menjëherë nga marrja e borxheve sepse rrezikon të bjerë shteti. Ai dënoi sjelljen e Avokaturës së Shtetit, që sipas tij, refuzon t’i tregojë kreut të shtetit të dhënat për çështjet në Gjykatën e Arbitrazhit.

 

“ Kur ekonomia nuk po e rimerr veten nga dy tragjedi, një barrë të rëndë po shkakton papërgjegjshmëria e institucioneve për ruajtjen e interesave të shtetit shqiptar. Dita-ditës po rritet borxhi publik. Është rritur numri i çështjeve të humbura të shtetit shqiptar në gjykatat e huaja, i kam kërkuar Avokaturës së Shtetit, numrin e çështjeve në proces në Gjykatën e Arbitrazhit ku është përfshirë Shqipëria, shërbimet e përfaqësimit, shpenzimet dhe të dhënat për ato, numrin e çështjeve të fituara në gjykatat e Arbitrazhit, numrin e çështjeve të humbura, sa ka kushtuar, shpenzimet administrative për koston e procesit, të dhëna mbi faktin nëse deri sot për çështjet e humbura a ka referuar Avokatura e Shtetit për nxjerrjen e përgjegjësve për dënim e shkaktuar ndaj shtetit shqiptar. I dhashë mundësi të dytë avokaturës edhe pse ishte me shumë vonesë, deri tani sërish heshtje e plotë. Kjo nuk tregon papërgjegjshmëri, por përpjekje e hapur për të fshehur informacionin.”

 

Ilir Meta akuzoi se pjesë e qeverisë janë edhe zyrtarë të korruptuar që përfitojnë nga kjo situatë.

 

 

“Shteti shqiptar nuk mund të vazhdojë të marë borxhe pafund dhe të rrëzohet nga borxhet dhe të shlyejë dëmet e shkaktuara nga korrupsioni dhe veprimet e paligjshme të kryeministrit dhe të vartësve të tij. Sot jam këtu për të paralajmëruar veprimtari kriminale të organizuar që shkatërron financat e shtetit dhe të çdo shteti shqiptar. Këto parashikme kaq të zymta që vijnë nga institucionet me prestigjioze ndërkombëtare, përveç krizës politike tërësisht artificial, mund të sjellë një situatë falimentimi ekonomik dhe financiar. Shqetësimi im është se janë shumë çështje që mund të penalizojnë Shqipërinë edhe në shifra prej miliarda eurosh apo dollarësh. Shqëtësimi im është se kam dyshime të arsyeshme për një lojë të dyfishtë korruptive të zyrtarëve të qeverisë. Kështu ne shkojmë drejt një katastrofe financiare. Ky është shqetësimi im dhe është një shqetësim i madh dhe i drejtë. Koha për parandalimin e rënies në humnerë të vendit është tani. Ne 26 prill secili do të mbajë përgjegjësi për çfarë ka bërë. Përfitojnë zyrtarët e korruptuar.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *