Subscribe

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, doli këtë të mërkurë në një konferencë për mediat për të njoftuar se ka dekretuar ndryshimet në Kodin Penal për pandeminë të miratuara një javë më parë në Parlament.

Kreu i shtetit deklaroi se këto ndryshime ishin të nevojshme në këtë kohë dhe se në të janë reflektuar kërkesat dhe shqetësimet e Presidencës, Avokatit të Popullit, shoqërisë civile dhe ekspertëve.

“Si Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, kam dekretuar shpalljen e ligjit nr. 35/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Shpallja e ligjit u vlerësua e nevojshme në situatën pandemike që po kalon vendi ynë, për arsye se kohëzgjatja, pasojat, apo mundësia e ripërsëritjes së një situate të tillë, mbeten ende të paparashikueshme. Përkundrazi, është një kërkesë kushtetuese që në thelb kërkon kryerjen e ndryshimeve në ligje të rëndësishme, me një konsultim dhe konsensus të gjerë.”

Meta vlerësoi se ndryshimet në Kodin Penal u bënë për të mbrojtur shëndetin publik.

“Nisur nga këto zhvillime, nga kjo gjendje e fatkeqësisë natyrore në të cilën ndodhemi, por mbi të gjitha, për shkak të boshllëkut ligjor që ka Kodi Penal sa i përket trajtimit të veprimeve që kryhen me dashje dhe qëllimin kriminal për përhapjen e sëmundjeve infektive, Presidenti vlerëson se iniciativa e Kuvendit dhe Qeverisë që mbrojtja e shëndetit publik të garantohet edhe nga normat penale, përpos atyre administrative, duhet mbështetur.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *