Hoteli me 5 yje “Melia” në Gjirin e Lalzit, ka ndryshuar së fundmi këndvështrimin për vendin tonë si nga ana e tour-operatorëve, por ashtu edhe të brandeve të hoteleve të njohura në mbarë botën për Shqipërinë, i cili tashmë prezantohet si një destinacion atraktiv, duke shfaqur mjaft interes potencial për zhvillimin e turizmit elitar në vendin tonë.
Brendi prestigjioz spanjoll i hotelerisë “Melia”, i cili do të fillojë të operojë me shërbimet e tij javët e ardhshme pranë “San Pietro” Resort, duket se ka sjellë edhe interesimin e shumë grupeve të tjera ndërkombëtare të hotelerisë, të cilat synojnë të kenë së shpejti hotelet e tyre në bregdetin shqiptar.
Me interesimin e vetë autoriteteve zyrtare spanjolle, ditët e fundit filloi të funksionojë “Dhoma Shqiptare e Tregtisë dhe Turizmit” e Ishujve Belarik, me seli në Palma de Majorka. Pra, aty ku edhe operojnë grupet më të rëndësishme të hotelerisë botërore, të cilat kanë shfaqur interesimin e tyre për të qenë në Shqipëri, duke bashkëpunuar me Grupin “Concord Investment”, i cili vjen nga një histori suksesi falë bashkëpunimit me “Melia” Hotels International.
Si President të Dhomës Shqiptare të Tregtisë dhe Turizmit, është zgjedhur Jose Yudici, i cili falë eksperiencës së tij disa vjeçare në industrinë e turizmit, do të synojë që vendi ynë të ketë interesin dhe vëmendjen e investitorëve spanjollë si dhe të rrisë bashkëpunimin me kompanitë “tour-operator” të turizmit në Spanjë.
“Melia” në Gjirin e Lalzit ka ngjallur së fundmi edhe interesin e institucioneve arsimore, që përgatisin brezat e rinj në profesionin e tyre, me qëllim zhvillimin e praktikave mësimore, teksa vetëm pak ditë më parë dhjetëra të rinj u bënë pjesë e ditës së rekrutimeve “talent day”, pranë këtij hoteli i cili siç edhe e përmendëm pritet të hapë dyert gjatë javëve të ardhshme.
Në këtë kuadër z. Jose Yudici – President i Dhomës së Tregtisë dhe Turizmit të Shqipërisë në Spanjë deklaron se “do të kërkojë të ngjallë interesin për bashkëpunim mes institucioneve arsimore spanjolle dhe atyre shqiptare, veçanërisht me Universitetin e Ishujve Balerik, për të nisur një program “binjakëzimi” për të ndarë njohuritë, informacionet dhe për të përmirësuar programin e turizmit dhe mikpritjes në vendin tonë”.
Prania e markave të tilla prestigjioze të cilat ofrojnë shërbimet të hotele me 5 yje si “Melia” në Shqipëri, natyrshëm që nxiti edhe investime të tjera kryesisht ato të transportit ajror teksa nga muaji qershor 2023, do të nisin fluturimet direkte nga Madridi në Tiran me linjën Iberia Airlines, ndërkohë që dy tour-operatorët spanjollë “Ëorld2Meet” dhe “Soltour”, do të mbulojnë me fluturime “charter” destinacione të ndryshme nga Spanja drejt Tiranës, duke filluar çdo ditë nga ky sezon veror.
Në këtë mënyrë pritet të rritet akoma edhe më shumë numri i turistëve spanjollë që vizitojnë vendin tonë, turistë të cilët sipas statistikave të INSTAT kanë njohur rritjen më të madhe të grupit të turistëve të huaj, me afërsisht 3.6% herë më shumë se në vitin 2021.
Hoteli me 5yje “Melia” në Gjirin e Lalzit, është një investim i realizuar nga ana e “Concord Investment”, grup i cili ka ambicie të qarta për të vazhduar investimet si në hoteleri ashtu edhe në industrinë “real estate” në Shqipëri.
Pas ndërtimit të Resortit “San Pietro” në Gjirin e Lalzit, “Concord Investment” është duke realizuar një tjetër investim të ngjashëm në Palasë, “San Nicolas” Resort, “Arameras” Beach & Resort në Ksamil si edhe projekti në Gjirin e Lalzit “Adriatica Hotel & Residences”. Në fokus të investimeve të Grupit është gjithashtu edhe turizmi nautik, duke përmendur këtu Marinën Orikumit në Vlorë apo Marina Bay Saranda, projekte këto ambicioze, të cilat i japin një impakt pozitiv zhvillimit të turizmit, por edhe ekonomisë në Shqipëri.