Ndonëse kemi më pak aksidente krahasuar me vitin e kaluar, bilanci sa i takon viktimave është më i rëndë. Referuar shifrave të Policisë Rrugore për muajin qershor dhe korrik, muaj që shoqërohen me një rritje të aksidenteve, kemi 53 ngjarje rrugore më pak, por dy viktima më shumë.
“Këto dy muaj për vitin 2024 kanë qenë 287 (aksidente), kurse për vitin 2025 kemi 234 aksidente si numër statistikor. Pra, jemi 53 aksidente më pak sesa dy mujori (qershor-korrik) i vitit 2024. Për sa i përket të vrarëve, në vitin 2024 kemi pasur 21 të vrarë, ndërsa për 2025 kemi 23 të vdekur, pra dy viktima më shumë”, tha Artur Selimaj, shef i sektorit te sigurise rrugore.
Selimaj rëndit edhe shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.
“E para janë përdoruesit e rrugës, të cilët kryesisht, më së shumti, kryejnë shkeljen e parakalimit të gabuar dhe përdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit të automjeteve. Po ashtu është edhe tejkalimi i shpejtësisë përtej normave të lejuara në tabelat e vendosura në akset rrugore. Të treja këto janë arsyet kryesore të aksidenteve rrugore.”
Jo vetëm për faj të drejtuesit të mjetit, por një tjetër faktor në rritjen e aksidenteve rrugore janë edhe rrugët e vendit. Selimaj shton se disa akse kërkojnë një menaxhim më të mirë gjatë sezonit veror.
“Një arsye tjetër është edhe faktori rrugë, i cili në kohën e sezonit turistik është i ngarkuar për shkak të turistëve dhe mbingarkesës që kanë drejtime të caktuara të akseve rrugore që të çojnë drejt plazheve, siç janë Lezha, Durrësi, Vlora, Saranda dhe Shkodra. Të gjithë këta faktorë së bashku kërkojnë një menaxhim më të mirë nga ana e shërbimeve të Policisë Rrugore, gjë e cila është e planifikuar në planin e masave që ka hartuar Policia e Shtetit për sezonin turistik.”
Policia Rrugore, prej muajit maj, ka nisur zbatimin e masave për parandalimin e aksidenteve. Shumë grupe pune janë në terren për ndëshkimin e të gjithë drejtuesve të pabindur, ndërkohë që monitorimi i akseve po kryhet përmes pajisjeve teknologjike si radarë apo dronë.
/vizionplus.tv





