Në takimin e sotëm në Bruksel, udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s janë dakordësuar për një axhendë ambicioze të aleancës deri në vitin 2030. Sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg në një konferencë përmbyllëse për shtyp deklaroi se bota po përballet me kërcënime shumëplanëshe, konkurrencë sistematike nga fuqitë  autoritare, si dhe sfida në rritje të sigurisë.

 

 

“Sot hapëm një kapitull të ri për alenacën duke adresuar ccështje kycce për sigurinë. Dëgjuam një mesazh të fortë nga presidenti Biden për përkushtimin e SHBA ndaj NATO-s ndërsa aleatët mirëpritën konsultimet e sotme përpara takimit me presidentin Vladimir Putin në Gjenevë. Marrëdhënia jonë me Rusinë gjendet në pikën më të ulët që nga lufta e ftohtë, veprimet agresive të Moskës përbëjnë një kërcënim për sigurinë Euro-Atlantike; terrorizmi në të gjitha format dhe manifestimet e tij mbeten një kërcënim i vazhdueshëm për të gjithë ne.”

 

 

Stoltenberg gjithashtu bëri të ditur se edhe rreziku që vjen nga Kina mori vëmendje të shtuar në bisedimet e sotme.

 

 

“Ndikimi në rritje i Kinës dhe politikat ndërkombëtare mund të paraqesin sfida që duhet t’i adresojmë së bashku si një Aleancë. Ne gjithnjë e më shumë përballemi me kërcënime kibernetike, hibride dhe kërcënime të tjera asimetrike, përfshirë fushatat dezinformuese dhe përdorimin dashakeq të teknologjive gjithnjë e më të sofistikuara në zhvillim dhe përçarës. Përparimet e shpejta në fushën e hapësirës po ndikojnë në sigurinë tonë. Përhapja e armëve të shkatërrimit në masë dhe erozioni i arkitekturës së kontrollit të armëve gjithashtu minojnë sigurinë tonë kolektive.”

 

 

Agjenda e NATO-s 2030 përcakton një nivel më të lartë të ambicies për NATO-n,  duke u mbështetur në përshtatjen e vazhdueshme politike dhe ushtarake të Aleancës ndërsa nga viti 2023 do të rriten shpenzimet në mbrojtje.

 

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në samit ndërsa për herë të parë mori pjesë edhe homologu i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *