Subscribe

Festivali Ndërkombëtar i Monodramës “Albamono” ka mbyllur edicionin e tij të 17-të mbrëmjen e së hënës.Përgjatë gjashtë netëve, në “Pyllin e Fazanëve” nw qytezën e Maliqit  janë shfaqur për publikun performanca nga Rusia, Spanja, Kroacia, Rumania e Maqedonia e Veriut. Juria profesioniste vlerësoi pjesëmarrësit, ku çmimin e madh “Grand Price” e fitoi shfaqja “Ju flet Moska”.Ndërsa çmimin si aktori më i mirë mashkull, e fitoi Stojan Velkov, nga Maqedonia e Veriut, me shfaqjen “Njeriu i butë”.

 

STOJAN VELKOV – AKTOR

Jam shumë i nderuar që u vlerësova me çmimin aktori më i mirë mashkull, ky është çmimi i parë në karrierën time profesionale. Dua të falenderoj të gjithë grupin e punës, pjesmarrësit dhe organizatorët e këtij festivali. Sigurisht që ky çmim është një shtysë që ne të vazhdojmë të punojmë për një tjetër shfaqje dhe pse jo vitin tjetër të përgatisim një monodramë të re, për tu bërë sërish pjesë e festivalit.

 

Çmimi “Performanca më e mirë” ka shkuar për aktoren Zelia Lanaspa. Aktorja nga Spanja, ndihet e nderuar për vlerësimin e jurisë.

 

ZELIA LANASPA – AKTORE

Kemi kaluar një eksperiencë të këndshme bashkë me stafin. Është e pabesueshme por kemi marrë çmimin e performancës më të mirë dhe për këtë jam shumë e lumtur. Ka patur performanca shumë të mira nga të gjithë pjesmarrësit dhe e vetmja gjë që mund të them është faleminderit, për të gjithë organizatorët. Numri im me fat është 17 dhe ky ishte edicioni i 17 i festivalit dhe ky është një tjetër gëzim për gjithë grupin.

 

Çmimi i karrierës shkoi për aktorin e mirënjohur korçar Koço Qendro, i cili vlerësoi dhe kujtoi dhe njëherë aktorin dhe regjisorin Dhimitër Orgocka që u nda nga jeta pak kohë më parë.

 

 

Nata finale e Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës është shoqëruar me një program artistik përgatitur nga Qendra Kulturore e Maliqit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *