Teksa prezantoi aktin normativ të qeverisë për frenimin e COVID-19, Ministrja Manastirliu ashtu sic ishte paralajmëruar ka deklaruar se strukturat private do të vihen në dispozicion të situatës, nëse do të kapërcehen kapacitetet publike për përballimin e sëmundjes.

 

 “Në varësi të dinamikës së hospitalizimit të të prekurve nga infeksioni COVID-19, vetëm nëse kapërcehen kapacitetet publike, strukturat spitalore private, ambulatore, hoteliere, autoambulancat dhe personeli përkatës, shëndetësor e mbështetës vendosen në dispozicion të përballimit të situates”, tha Manastirliu.

 

Gjatë informimit mbi aktin normativ, Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se ndalohet eksporti i barnave dhe pajisjeve mjekësore nga Republika e Shqipërisë. Çdo shkelje dënohet me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë dhe iu sekuestrohet e gjithë sasia e barnave/pajisjeve mjekësore.

 

Ndërsa mosofrimi i shërbimeve nga farmacitë, tregtuesit me shumicë të barnave dhe prodhuesit e barnave, duke zbatuar kriteret e sigurisë të përcaktuara nga organet kompetente, dënohet me gjobë në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë për tregtuesit me shumicë dhe në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për tregtuesit me pakicë.

 

Akti normativ i qeverisë përfshin dënim me gjobë për të gjithë qytetarët të cilët nuk deklarojnë tek autoritetet historikun e tyre të udhëtimit nga vendet e prekura nga COVID-19, apo nuk vetëkarantinohen sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë.

 

Dënohen me gjobë gjithashtu edhe baret, restorantet, palestrat, kinematë, qendrat e internetit dhe të gjitha subjektet e përcaktuara në urdhërat e mëparshëm të cilët nuk ndalojnë zhvillimin e aktivitetit të tyre.

 

Manastirliu apeloi për zbatimin rigoroz të vendimeve, për të mundësuar që ekipet mjekësore të shërbejnë në terren dhe të bëjnë më të mirën e mundshme për t’ju përgjigjur qytetarëve në këtë situatë të vështirë të përballjes me COVID-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *