Dy muaj pas vizitës në spitalin e Lezhës, ku deklaroi se brenda vitit do të vendoset mamografia në këtë spital, Ministrja Manastirliu u rikthye sot në Lezhë për të parë nga afër funksionimin e shërbimit të ri të mamografisë.

 

“Siç e premtuam, vendosëm për herë të parë mamografinë në spitalin e Lezhës, me një teknologji të avancuar, që do i shërbejë grave të kësaj zone ta marrin shërbimin afër vendbanimit, pa patur nevojë të vijnë në Tiranë për ekzaminimin e gjirit”, tha Manastirliu.

 

Me vendosjen e mamografisë në Lezhë dhe së shpejti në Fier, plotësohen të gjitha nevojat e spitaleve rajonale në vend.

 

“Bëhemi gati për të nisur programin kombëtar të depistimit të kancerit të gjirit, me vendosjen e mamografisë së detyrueshme për gratë. Synojmë të arrijmë targetin për të depistuar 40 mijë gra në vit”, tha Manastirliu.

 

Në spitalin e Lezhës është japur për herë të parë edhe shërbimi i kimioterapisë.

 

“Me hapjen e kabinetit të kemioterapisë në Lezhë shkon në 7 numri i spitaleve rajonale që ofrojnë kemioterapinë afër vendbanimit për pacientët që vuajnë nga tumoret. Me buxhetin 2020 mbështesim trajtimin me citostatikë në spitale”, tha Manastirliu.

 

Duke u ndalur tek investimi në burimet njerëzore, Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se nga Janari do t’i shtohen spitaleve rajonale edhe 70 mjekë specialistë.

 

“Investimet në infrastrukturë janë të rëndësishme por për ne është po aq i rëndësishëm investimi në burimet njerëzore. 130 mjekë specialistë u punësuan në spitalet rajonale gjatë vitit të fundit, ndërsa 70 mjekë të tjerë specialistë përfundojnë specializimin në Dhjetor dhe do të punësohen në spitalet rajonale vitin e ardhshëm”, tha Manastirliu.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *