Ukraina nuk ka municion të mjaftueshëm për një kundërsulm kundër Rusisë, tha dje presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky .

“Ne nuk kemi predha për aksione kundërsulmi. Për sa i përket mbrojtjes ka disa iniciativa dhe ne  po marrim armë”, tha presidenti ukrainas.

Zelensky tha ndër të tjera se Ukrainës mund t’i mbarojnë raketat anti-ajrore nëse Rusia vazhdon fushatën e saj të intensifikuar të bombardimeve me rreze të gjatë.

“Nëse ata vazhdojnë të godasin (Ukrainën) çdo ditë siç kanë bërë muajin e fundit, ne mund të na mbarojnë raketat dhe partnerët e dinë këtë,” tha Zelensky në një intervistë të transmetuar në televizionin ukrainas. Zelensky theksoi gjithashtu nevojën për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.

Ai tha  se vendi i tij është në pritje dhe në nevojë të madhe për paketën e madhe të ndihmës nga Shtetet e Bashkuara dhe se ende beson se Kongresi do ta miratojë këtë paketë. “Unë ende besoj se mund të kemi një votë pozitive në Kongresin e Shteteve të Bashkuara,” tha Zelensky.

Intervista e Zelenskyt u transmetua pak orë pasi Rusia e sulmoi Harkivin me dronë, duke i vrarë së paku shtatë njerëz dhe duke i plagosur 10 të tjerë, thanë zyrtarët. Qyteti i dytë më i madh i Ukrainës është përballur me sulme shumë të shpeshta në javët e fundit.

Analistët në Institutin Amerikan për Studimin e Luftës sugjeruan më 4 prill se forcat ruse me gjasë janë duke e rritur ritmin e përgjithshëm të operacioneve të ofensivës.

Ukraina ka rezerva të mjaftueshme për t’ia dalë tani për tani, por po i duhet tashmë të marrë vendime të vështira se ku t’i përdorë ato dhe çfarë të mbrojë me to, sipas Zelenskyt.

Sistemi i sofistikuar kundërajror amerikan është përdorur për t’u mbrojtur nga sulmet ruse me raketa balistike dhe hipersonike.

/vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *