Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe arritjet e deritanishme në këtë proces, ishin ne fokus të Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe dhjetë vendeve të BE me ndikim më të madh në këtë rajon. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federika Mogherini, u shpreh se Bashkimi Europian po i ndjek me vëmendje reformat dhe punën që po bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt Integrimit.

 

“Vendet e Ballkanit Perëndimor po punojnë fort për reformat, marrëdhëniet fqinjësore dhe sigurinë, veçanërisht marrëveshjen historike për emrin e arritur pak javë më parë nga Maqedonia dhe Greqia. Bashkimi Europian e vlerëson dhe po e mbështet punën e tyre në rrugën drejt integrimit Europian. Sot është një ditë e rëndësishme për miqtë tanë në Ballkanin perëndimor, për mbështetjen dhe suportin që ata kërkojnë”.

 

Ndërsa komisioneri për zgjerimin Johannes Hahn në një panel me ministrin e Jashtëm Maqedonas Nikola Dimitrov, rikujtoi se vendet Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë të punojnë me të njëjtin ritëm, pavarësisht hezitimit të disa vendeve skeptike si Franca, Hollanda dhe Gjermania.

 

Ai gjithashtu siguroi se historia e BE-së tregon se pavarësisht kundërshtimeve dhe debateve, vendet aspirante në fund ia kanë dalë duke u bërë pjesë e Unionit.

 

Samiti po zhvillohet në kuadër të “Procesit të Berlinit”, një nismë e vitit 2014 e kancelares gjermane Angela Merkel.

 

Kryeministrat dhe Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit në seancën plenare kanë diskutuar marrëdhëniet bilaterale, problemet ende të hapura mes vendeve fqinj si dhe forcimin e demokracisë e të stabilitetit.

 

Në samit marrin pjesë Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia e Austria, e po ashtu dhe Sllovenia, Kroacia, Bullgaria dhe Polonia. Greqia është ftuar për herë të parë dhe në këtë kontekst bëhet një anëtar i plotë i procesit të Berlinit duke vijuar të ruajë rolin e saj si një shtyllë e stabilitetit për rajonin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *