I kënaqur me operacionet e kryera gjatë 2020 për të luftuar kanabisin, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj bëri thirrje që policia të thellojë punën më tej. Nga Durrësi, Lleshaj tha se në këtë qark ka shumë shqetësime për kanabisin.

 

“Por e filluam nga Durrësi për arsye se në Durrës, specifikisht në Krujë, kemi patur shqetësime kronike prej shumë kohësh. Ka ardhur koha që intensiteti i punës dhe i luftës së Policisë ndaj këtij fenomeni në këtë rajon, të thellohet në mënyrë që të zhbëhet përfundimisht ky fenomen nga Shqipëria dhe nga Qarku i Durrësit. Dua të them që viti 2020 shënon vitin e angazhimit më të madh dhe të sukseseve më të mëdha në luftën kundër kanabisit. Ne duam që luftën e operacionin e ri të 2021 ta fillojmë tani. Do fillojë që tani në të gjithë vendin në mënyrë që të lirohen krahët e Policisë për të kryer edhe detyra të tjera, të cilat do të jenë të pashmangshme në kuadër të angazhimit të saj për garantimin e procesit zgjedhor në vitin 20201. Kjo ishte çështja e pare.”

 

Ai e ndali theksin edhe tek masat anti-COVID dhe kërkoi nga qytetarët bashkëpunim në zbatimin e tyre.

 

“Ende vazhdojmë të jemi në kulmin e një angazhimi të madh për të përballuar këtë pandemi. Policia e Shtetit është e angazhuar dhe do të jetë po ashtu në terren për të implementuar ato masa që janë përgjegjësi e saj.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *