Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka prezantuar këtë të hënë ekipin e ri “Shqiponja” në Shkodër, ndërsa ka ftuar të rinjtë e talentuar të vendit që t’i bashkohen kësaj strukture, duke aplikuar në Policinë e Shtetit.

Lleshaj nënvizoi se në Policinë e re, do të gjejnë hapësira më të mëdha “për zhvillimin dhe për kënaqjen e ambicieve të tyre të larta profesionale.

Sipas tij, siguria publike është një e mirë publike dhe në të duhet të marrin pjesë të gjitha institucionet por edhe gjithë shoqëria. Sa iu përket ndryshimet dhe investimet në trupën e policisë, Lleshaj vuri në dukje rritjen e numrit të studentëve të pranuar në Akademinë e Sigurisë, kriteret e rrepta për t’u pranuar etj.

“Po bëhen vite që ne përpiqemi të ndërtojmë ose të konsolidojmë strukturat e shtetit, dhe një ndër elementët kryesorë, që e karakterizon shtetin si përkufizim është siguria. Siguria si parakusht i lirisë. Siguria dhe liria janë dy koncepte të cilat janë në një farë mënyre të ndërlidhura ngushtë me njëri-tjetrin. Liria pa sigurinë nuk ekziston, është thjesht një iluzion, ndërkohë që siguria pa lirinë është e pa vlerë. Dhe na duhen të dyja, na duhet siguria në mënyrë që të kemi lirinë, dhe pikërisht për këtë arsye ne jemi shumë të qartë dhe shumë të vendosur që siguria mund të realizohet vetëm kur kombinojmë të gjitha përpjekjet, një ndër të cilat është investimi serioz në të. Ndaj dhe sot ne kemi të drejtë ta prezantojmë edhe ekipin e ri “Shqiponja” në Shkodër, i cili ashtu si në qarqet e tjera të Shqipërisë, i shtohet Policisë së Shtetit si një vlerë e shtuar, si një kapacitet i ri. Së bashku arrijnë në vlerën prej 500 forcave të reja të policisë që i shtohen organikës së saj vetëm këtë vit. Ndërkohë në qoftë se mbledhim numrin e policisë së shtuar gjatë viteve të fundit, shkojmë tek shifra 1700, gjë që përbën një kontribut të madh në funksion të sigurisë së vendit. Kontribut, i cili është reflektuar pastaj në parametrat e sigurisë të cilët kanë njohur përmirësim të vazhdueshëm në të gjitha fushat”, tha Lleshaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *