Subscribe

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar këtë të premte një takim me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski në Bashkinë e Pustecit.

 

Lleshaj deklaroi për mediat se në fokus të takimit ka qenë bashkëpunimi dypalësh në fushën e sigurisë dhe rendit publik si dhe ajo e menaxhimit të kufirit të përbashkët.

 

Sipas Lleshajt, gjatë takimit u ra dakord që të vijojë më tej procesi i lehtësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve në pikat kufitare mes dy vendeve.

 

“Kemi diskutuar dhe kemi rënë dakord për të vijuar më tej procesin e lehtësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve në pikat tona kufitare, me objektin që në një kohë shumë të shpejtë, të kalojmë në modelin “One stop shop” në pikën e Qafë Thanës dhe me objektivin për t’u thelluar më tej edhe në pikat e tjera kufitare me qëllim që standardin “One stop shop” ta kemi në të gjitha pikat e përbashkëta të kalimit kufitar, midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Po ashtu kemi diskutuar çështje të tjera që kanë të bëjnë me bashkëpunimin operacional policor në fushën e luftës kundër krimit. Kemi diskutuar për rakordimin e përpjekjeve në drejtim të integrimit europian të të dy vendeve tona. Dhe po ashtu kemi diskutuar rreth intensifikimit të përpjekjeve të përbashkëta të të dy qeverive për ta mbështetur edhe bashkinë e Pustecit, e cila përfaqëson dhe një bashki “urë” midis Shqipërisë dhe Maqedonisë.”

 

Lleshaj tha gjithashtu se palët do të angazhohen seriozisht me qëllim që të thellojnë bashkëpunimin në Bashkinë e Pustecit, duke qënë se është një pikë ndërkufitare.

 

“Ne do të angazhohemi seriozisht, edhe si ministra të Brendshëm, por edhe si qeveri, në mënyrë që në bashkinë e Pustecit të thellojmë bashkëpunimin, të intensifikojmë investimet në mënyrë që kjo të shndërrohet në një model shumë të mirë ndërkufitar, pra të një bashkie e cila lidh të dy vendet tona, pse jo, të tre vendet, sepse është një bashki që në fakt lidh tre vende, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *