Në Ditën Botërore të Lirisë së Medias, Organizata e Kombeve të Bashkuara ngre alarmin se globi po përballet jo vetëm me pandeminë e koronavirusit por edhe më atë të keqinformimit.

Antonio Guterres i bën thirrje qeverive të mbrojnë punonjësit e mediave, dhe të forcojnë e ruajnë lirinë e shtypit.

ANTONIO GUTERRES SEKRETAR I PERGJITHSHEM I OKB

“Këshillat e dëmshme shëndetësore deri tek teoritë e komplotit duhet të luftohen me lajme të verifikuara, shkencore, të bazuara në fakte dhe analiza. Por që nga fillimi i pandemisë, shumë gazetarë po i nënshtrohen rritjes së kufizimeve dhe ndëshkimeve. Kufizimet e përkohshme për lirinë e lëvizjes janë thelbësore për të mposhtur COVID-19 por nuk duhet të abuzohen si një justifikim për të goditur aftësinë e gazetarëve për të bërë punën e tyre.”

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, thekson se shoqëritë tona nuk mund të zhvillohen pa një shtyp të lirë.

HARLEM DESIR PERFAQESUES I OSBE PER LIRINE E MEDIAS

“Po shohim se ka shumë shtete që po limitojnë aftësinë e gazetarëve për të raportuar. Ne kemi nevojë për më shumë transparencë dhe përgjegjësi. Lërini gazetarët të bëjnë punën e tyre dhe mbështetini ata.”

Pandemia është përshkruar si kërcënimi më i madh për industrinë globale të lajmeve që nga përplasja ekonomike e vitit 2008. Në indeksin për Lirinë e Shtypit për vitin 2020, Organizata Reporterët pa Kufij nënvizon faktin se edhe Shqipëria është përkeqësuar në këtë drejtim duke u renditur në vendin e 84.

Presidenti Ilir Meta në një postim në rrjetet sociale konsdieron se regresi i Shqipërisë në këtë drejtim, është i papranueshëm.  Ndërsa sipas liderit të opozitës, Lulzim Basha, ligjet kundër medias online, kufizimi i qasjes së gazetarëve në informacion, arrestimi i gazetarëve dhe aktivistëve si dhe mbyllja e mediave kritike ndaj qeverisë, janë vetëm disa nga problemet që kanë përkeqësuar lirinë e medias në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *