“Ligjet” miratojnë “Territorialen” , pak shanse që shumica të tërhiqet nga varianti me 46 bashki

Të hënën, Komisioni i Ligjeve pritet të miratojë hartën e re territoriale që ndan vendin në 46 bashki, nga 61 që Shqipëria ka aktualisht. Kjo mbledhje shënon mbylljen e diskutimeve në komisionet parlamentare para se propozimi i socialistëve për të shkrirë 15 bashki të votohet ditën e enjte, më 8 tetor, në seancë plenare.
Mbledhja e Ligjeve pritet të shoqërohet me debate, pasi opozita është kundër ndarjes së Shqipërisë në 46 njësi vendore. Sipas PD-së, reduktimi i numrit të bashkive do të largojë shërbimet nga qytetarët dhe do të ndikojë në largimin e banorëve nga zonat periferike.
Për këtë arsye, opozita ka depozituar në Parlament një projektligj që e ndan Shqipërinë në 100 bashki, por ky propozim ka pak gjasa të shqyrtohet në këtë moment, pasi, sipas ligjit, ai duhet të çohet për konsultim për një periudhë 2-mujore në të gjitha bashkitë e vendit. Por kundër hartës territoriale të propozuar nga socialistët kanë dalë edhe 15 këshillat e bashkive që shkrihen, pavarësisht nëse ato drejtohen nga PS-ja apo nga PD-ja.
Kundër kësaj ndarjeje ka dalë edhe kryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Erjon Veliaj, i cili, nga burgu, nëpërmjet një letre, theksoi se procesi i miratimit të saj duhet të pezullohet derisa të zhvillohet një konsultim real me qytetarët e zonave të prekura.
Por, pavarësisht këtyre kritikave, ka pak gjasa që mazhoranca të tërhiqet nga miratimi i hartës së re territoriale. Ajo pritet të miratohet më 8 tetor dhe të zbatohet në zgjedhjet lokale që do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.
/vizionplus.tv




