Kryeministri britanik Boris Johnson po përballet me një rebelim në radhët e ligjvënësve të partisë së tij me daljen në dritë të informacioneve se ai ka zhvilluar festa në rezidencën e tij zyrtare, në kundërshtim me rregullat e izolimit për pandeminë. Kjo gjë ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij si udhëheqës. Materiali në vazhdim na njeh me disa nga kandidatët që mund të zëvendësojnë Kryeministrin Johnson nëse ai do të jepte dorëheqjen apo shkarkohej nga ligjvënësit e partisë së tij.

 

RISHI SUNAK

 

Ministri i Financave Rishi Sunak është kandidati i parapëlqyer për të qenë kryeministri i ardhshëm i Britanisë. Ai është vlerësuar për paketën e shpëtimit për ekonominë gjatë pandemisë së koronavirusit, ku përfshihej një program për ruajtjen e vendeve të punës, i cili parandaloi papunësinë masive, që mund të kushtonte deri në 559 miliardë dollarë.

 

Megjithatë, mbështetja për 41-vjeçarin ka rënë në muajt e fundit mes konservatorëve, të cilët do të votonin për të zgjedhur se cili nga dy kandidatët përfundimtarë, do të fitonte postin kryesor të partisë në rast se do të zhvillohen zgjedhjet për drejtuesit e partisë.

 

Buxheti i propozuar nga zoti Sunak në tetor krijoi premisat që Britania të ketë nivelin më të madh të taksave që nga vitet 1950, duke dëmtuar kështu pretendimet e tij se mbështet uljen e taksave.

 

Zoti Sunak, ish-bankier i firmës së investimeve Goldman Sachs, i ka ofruar Kryeministrit Johnson vetëm mbështetje të vakët që kur ai kërkoi falje për festat gjatë izolimit për pandeminë. Zoti Sunak i dha fund papritur një interviste që po transmetohej të martën kur u pyet nëse e mbështet atë “pa mëdyshje”.

 

Pothuajse gjysma e konservatorëve besojnë se zoti Sunak do të ishte udhëheqësi më i mirë në të ardhmen, duke i dhënë kështu atij mbështetjen më të lartë krahasuar me çdo kandidat tjetër të mundshëm, sipas një anketimi të publikuar këtë javë nga kompania Opinium.

 

LIZ TRUSS

 

Sekretarja e Jashtme është e preferuara e bazës së konservatorëve dhe kryeson rregullisht në anketimet në radhët e anëtarëve të partisë të kryera nga faqja e internetit Conservative Home.

 

Zonja Truss ka një imazh publik të kultivuar me kujdes dhe u fotografua në një tank vitin e kaluar, duke risjellë kështu një imazh të famshëm të vitit 1986 të kryeministres së parë femër të Britanisë, Margaret Thatcher, e cila gjithashtu u shfaq në një pozë të tillë.

 

46-vjeçarja ishte sekretare e tregtisë ndërkombëtare në dy vitet e para të qeverisjes së Kryeministrit Johnson. Ajo mbrojti daljen e Britanisë nga BE-ja dhe muajin e kaluar u emërua negociatorja kryesore e Britanisë me Bashkimin Evropian.

 

Zonja Truss njihet edhe për ndërhyrje të çuditshme politike. Në një fjalim të vitit 2014 në konferencën vjetore të konservatorëve ajo deklaroi me zemërim: “Ne importojmë dy të tretat e djathit tonë. Ky është një turp”.

 

JEREMY HUNT

 

Jeremy Hunt, ish-sekretari i jashtëm 55-vjeçar, u radhit i dyti pas zotit Johnson në zgjedhjen e drejtuesve të partisë në vitin 2019. Ai ofron një stil drejtues më serioz dhe më pak të debatueshëm.

 

Gjatë dy viteve të fundit, zoti Hunt ka shfrytëzuar përvojën e tij si ish-sekretar i shëndetësisë për të drejtuar komisionin për shëndetësinë dhe imazhi i tij nuk është dëmtuar nga pjesëmarrja në qeverinë aktuale.

 

Zoti Hunt i tha në një intervistë këtë javë revistës politike “The House” se ambicia e tij për t’u bërë kryeministër “nuk është zhdukur plotësisht”.

 

SAJID JAVID

 

Sajid Javid, ministri 52-vjeçar i shëndetësisë, doli i katërti në garën e fundit për drejtuesit e partisë.

 

Zoti Javid, një emigrant i gjeneratës së dytë me origjinë pakistaneze, ka shërbyer në një sërë rolesh në kabinetin qeveritar, ndër to edhe si ministër i financave. Ai arrin vazhdimisht rezultate të mira në anketimet në radhët e anëtarëve të partisë konservatore.

 

Ai është një ministër që cilësohet nga disa nëpunës publikë që kanë punuar për të si vendimtar dhe i qartë.

 

DOMINIC RAAB

 

Zëvendëskryeministri ka mbajtur disa role kryesore në qeveri, si ministër i jashtëm dhe sekretar për Brexit-in.

 

Zoti Raab, 47 vjeç, ushtroi funksionet e zotit Johnson si kryeministër në detyrë pasi zoti Johnson u infektua nga COVID-19 në fillimet e pandemisë dhe u shtrua në pavijonin e kujdesit intensiv.

 

Megjithatë, ai u kritikua ashpër për qëndrimin me pushime gjatë rimarrjes së Afganistanit nga talebanët në gusht të vitit të kaluar dhe u transferua në postin e sekretarit të Drejtësisë./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *