TIRANË – Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, njoftoi ditën e djeshme, 10 dhjetor, se nuk ka ndërmend të njohë 10 marsin e vitit 2025 si datë të përfundimit të mandatit të saj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Për këtë ajo vendosi t’i drejtohet me një kërkesë për opnion Komisionit të Venecias.
Lexo edhe :
Related Posts
Vision Plus ka zbardhur kërkesën e Holta Zaçajt drejtuar Komisionit të Venecias. Zaçaj shtron pyetjen nëse mandate i saj përfundon në mars apo në dhjetor të vitit 2025.
Holta Zaçaj: Reforma në drejtësi e vitit 2016, solli, mes të tjerash, ndryshime në kornizën kushtetuese që rregullon formulën dhe procedurën e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke ndërhyrë edhe me dispozita kalimtare me qëllim përtëritjen e rregullt të saj.
Këto dispozita kushtetuese filluan të zbatohen me vonesë, për rrjedhojë, emërimi në detyrë i gjyqtarëve kushtetues u bë më vonesë, çka ka krijuar paqartësi për kohën e përfundimit të mandatit të tyre, duke sjellë pasoja në këndvështrim të respektimit të parimit të kohëzgjatjes së mandatit të plotë kushtetues dhe parashikimit kushtetues të përtëritjes së Gjykatës çdo tre vjet me një të tretën e saj.
Referuar kuadrit ligjor në fuqi, neni 125, pika 3, i Kushtetutës parashikon se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, dhe ata, sipas nenit 129 të Kushtetutës, fillojnë detyrën pasi bëjnë betimin përpara Presidentit të Republikës. Rastet e mbarimit të mandatit parashikohen në nenin 127, kurse në nenin 125, pika 6, të Kushtetutës parashikohet përtëritja e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese çdo tre vjet me një të tretën e saj, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.
Sipas parashikimit të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës (dispozitë kalimtare), me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025 dhe gjyqtari i ri, që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028. Po sipas kësaj dispozite, gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit, sipas ligjit.
Këto dispozita kushtetuese kanë gjetur pasqyrim edhe në parashikimet e ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji organik).
Duke iu referuar përbërjes aktuale të gjyqtarëve kushtetues rezultojnë këto të dhëna të emërimit të tyre në detyrë.
Gjyqtari Emërimi në detyrë Koha e krijimit të vakancës
Marsida Xhaferllari 2019 2019
Fiona Papajorgji 2019 2019
Elsa Toska 2019 2019
Sonila Bejtja (Besnik Muçi) 2019 2016
Sander Beci 2020 2020
Ilir Toska 2022 2022
Gent Ibrahimi 2022 2022
Marjana Semini 2023 2022
Holta Zaçaj 2023 2017
Gjyqtarja Holta Zaçaj është emëruar në detyrë në vendin vakant të shpallur për emërimin e gjyqtarit pasues të mandatit të znj. Vitore Tusha, mandati i së cilës ka mbaruar në datën 10.03.2017.
Me vendimin nr. 2, datë 16.01.2023, Gjykata e Lartë, si organi i emërtesës për këtë vakancë, ka deklaruar: “Zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025”, në zbatim të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës.
Gjyqtarja Holta Zaçaj ka filluar të ushtrojë detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në datën 25.01.2023.
Ditën e sotme, datë 10.12.2024, media raporton se Gjykata e Lartë, si organi i emërtesës, është shprehur se Gjykata Kushtetuese do të duhet të deklarojë mbarimin e mandatit të gjyqtares kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, jo më vonë se data 10.12.2014, duke prezumuar se ai mbaron në datën 10.03.2025, e lidhur kjo me përfundimin e mandatit të gjyqtares paraardhëse, znj. Vitore Tusha, mandati i plotë i së cilës ka përfunduar në datën 10.03.2017.
Sipas pikës 3, të nenit 127 të Kushtetutës, mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Sipas nenit 9 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese, pikat 2 dhe 3 të tij, kërkesa për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit bëhet nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, i cili, nga ana tjetër, jo më vonë se 3 muaj përpara përfundimit të mandatit të gjyqtarit, sipas pikës 1, shkronja “b”, të këtij neni, njofton organin e emërtesës për vendin vakant.
Për rrjedhojë, në referim të qëndrimit të Gjykatës së Lartë duket se Kryetari i Gjykatës Kushtetuese duhet të vërë në lëvizje Gjykatën për deklarimin e mbarimit të mandatit të znj. Holta Zaçaj. Nga ana tjetër, në ushtrimin e funksionit dhe kompetencave të saj, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, ka vlerësuar se data në të cilën përfundon mandati i saj është data 31.12.2025, bazuar në përmbajtjen e nenit 179, pika 3, të Kushtetutës, i cili përmban një rregullim përjashtimor, duke përcaktuar vetëm vitin 2025 si afati për mbarimin e këtij mandati kushtetues, ashtu edhe rregullave të përgjithshme të së drejtës për llogaritjen e afateve. Edhe vendimi i Gjykatës së Lartë për emërimin e saj në detyrë përmban, në të njëjtën mënyrë, vetëm vitin, pa treguar datën në të cilën mbaron ky mandat.
Po kështu, data e përfundimit të detyrës së gjyqtarit paraardhës, në rastet kur ai ka përfunduar mandatin e plotë, nuk referohet nga Kushtetuta apo ligji si një ngjarje juridike, e cila përcakton edhe përfundimin e mandatit të gjyqtarit pasues. Edhe në praktikën institucionale nuk rezulton të jetë zbatuar një rregull i tillë në përcaktimin e datës së përfundimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve kushtetues..
Në këtë situatë, si dhe duke pasur parasysh rregullin e përtëritjes së Gjykatës. Kushtetuese në vitin 2025 sipas parashikimit të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës, është e pritshme që Kryetarja të përballet edhe me nevojën e interpretimit të kohëzgjatjes të mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, e cila ka marrë një mandat zëvendësues duke u futur në mandatin e plotë të z. Besnik Muçi, i cili është betuar në datën 18.10.2019.
Për sa më sipër, mënyra e interpretimit të dispozitave kushtetuese që rregullojnë mandatet e gjyqtarëve kushtetues është e tillë që jo vetëm ka sjellë qëndrime të ndryshme nga organet e përfshira në proces, por ajo mund të përbëjë shkak edhe për krijimin e konfliktit të kompetencave, sidomos mes organeve të emërtesës dhe vetë Gjykatës Kushtetuese.
Në këto kushte, në cilësinë e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese dhe në konsideratë të kompetencave dhe përgjegjësive që më njeh ligji, kam konsideruar t’i drejtohem menjëherë Komisionit të Venecias, si organ këshillimor, për marrjen e një opinioni amicus curiae në lidhje me interpretimin e afatit kushtetues të qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve kushtetues në përgjithësi dhe, në veçanti, sipas parashikimeve të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës.
Në vlerësimin tim, qartësia e interpretimit të këtyre dispozitave kushtetuese në lidhje me parimin e qëndrimit në detyrë për 9 vjet përkundrejt përtëritjes së Gjykatës çdo tre vjet me tre gjyqtarë, merr rëndësi edhe në aspektin e garantimit të pavarësisë së gjyqtarëve kushtetues dhe vetë këtij institucioni, duke pasur në konsideratë edhe qëndrimin e jurisprudencës kushtetuese që ka theksuar se: “Garancia e kohëzgjatjes dhe paprekshmërisë së mandatit e mbron gjyqtarin nga ndikimet e forcave politike që mund të vijnë në pushtet. Vetëm një gjykatë e pavarur, të cilës i garantohet paprekshmëria e mandatit të anëtarëve të saj, mund të konsiderohet si një gjykatë që administron drejtësinë kushtetuese, në përputhje me parimet kushtetuese. Edhe pse mandati i gjyqtarit kushtetues ka kuptimin e një mandati të dhënë (jo të fituar nëpërmjet votës së zgjedhësve aktivë), parimi i pavarësisë nënkupton, gjithashtu, se gjyqtari, në momentin e emërimit, duhet të dijë kohëzgjatjen e këtij mandati, bazuar në rregullimet ligjore përkatëse dhe kjo kohëzgjatje nuk mund të lihet në diskrecion të organeve që e kanë emëruar/zgjedhur ate”: (Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 24, datë 09.06.2011, paragrafi 31).
Për sa më sipër, vlerësoj të parashtroj pyetjet si më poshtë vijon:
Pyetja nr. 1 Cila do të jetë data e mbarimit të mandatit të atyre gjyqtarëve kushtetues për të cilët dispozitat kalimtare kushtetuese, neni 179, pika 3 i Kushtetutës, ka përcaktuar vetëm vitin e fundit të qëndrimit në detyrë (në rastin e znj. Holta Zaçaj viti 2025 dhe në rastin e z. Sandër Beci viti 2028)?
Pyetja nr. 2 A mund të përdoret data e mbarimit të mandatit të plotë të gjyqtarit paraardhës si datë për llogaritjen e mbarimit të mandatit të gjyqtarit pasues, në skenarët e mëposhtëm:
Në përgjithësi, për të gjithë gjyqtarët kushtetues, duke pasur parasysh përmbajtjen e nenit 125, pika 3, dhe nenit 129 të Kushtetutës?
Në veçanti, për gjyqtarët mandatët e të cilëve mbarojnë në vite të përcaktuara, sipas nenit 179, pika 3, të Kushtetutës (2025 dhe 2028)?
Pyetja nr. 3 Nëse një gjyqtar është zgjedhur për një mandat të plotë në referencë të shpalljes së vakancës dhe vendimit të organit të emërtesës për emërimin/zgjedhjen e tij, a mundet që ky mandat të kufizohet më pas për qëllim të respektimit të rregullit të përtëritjes së rregullt çdo tre vjet me një të tretën e trupës? Cili parim duhet të prevalojë në këto raste, ai i qëndrimit në detyrë për 9 vjet (mandati i plotë kushtetues) apo ai i përtëritjes së Gjykatës?
Pyetja nr. 4 Nëse një gjyqtar emërohet/zgjidhet për një mandat të plotë me vonesë pas çeljes së vakances (ndërkohë që gjyqtari paraardhës ka të drejtë të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit) a do të ndikojë kjo vonesë në kohëzgjatjen e mandatit të tij kushtetues në kuptimin e shkurtimit të tij më kohën e vonesës nga shpallja e vakancës? Nëse ky mandat nuk shkurtohet, si zbatohet rregulli i rotacionit në një rast të tillë? A mund të zbatohet rregulli i përtëritjes së Gjykatës çdo tre vjet për më pak se tre gjyqtarë?
Ndërkohë ditën e sotme, 11 dhjetor, Gjykata e Lartë me asnjë të një njoftimi bën me dije se ka nisur procedurat e aplikimit për një vend vakant në gjykatën Kushtetuese, duke njohur kështu vakancën pas mbarimit të mandatit të Zaçes.
Gjykata e Lartë e konsideron të përfunduar mandatin e Zaçes pas datës 10 mars 2025. Sipas Gjykatës së Lartë, njoftimi për mandatin aktual të Holta Zaçes është bërë në vitin 2021, ku thuhej se vendi vakant që krijohet pas largimit të Vitore Tushes (paraardhëse e Zaçes), së cilës i mbaroi mandati më 2017, zgjidhet gjyqtari i ri i cili qëndron në detyrë deri më mars të vitit 2025.
Holta Zaçaj, vijon më tej njoftimi i Gjykatës së lartë, u zgjodh në 16 janar 2023 si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, ‘me mandat të pjesshëm, deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025’./vizionplus.tv






