Vizita e kryeministrit Edi Rama në Gjermani, ka përkuar edhe me ceremoninë tradicionale të ndarjes  së çmimit ndërkombëtar “Karli i Madh”. Çmim ky që këtë vit ju dha Presidentit të Konferencës së Rabinëve të Evropës, për rolin e tij të rëndësishëm në promovimin e dialogut dhe tolerancës ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare. Edi Rama ishte u ftua të mbante fjalën kryesore, ku ndër të tjera vuri theksin tek toleranca fetare ne vendin tone.

“Shqipëria, një vend me shumicë myslimane, ishte i vetmi vend në Europë që kishte më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore sesa përpara se ajo të niste. Disa prej bashkëqytetarëve të mi dhe vetë Shqipëria njihen si të drejtë mes kombeve, në një kohë kur njerëzimi po shkatërrohej gjithkund. Për shqiptarët, toleranca nuk ishte thjesht një pranim pasiv a një njohje me zor e diversitetit të dikujt, mes shumë historive të jashtëzakonshme të tolerancës aktive të vendit tim gjatë shpëtimit të hebrenjve”, tha Rama. 

Shefi i qeverisë shqiptare apeloi që kjo frymë tolerance të ndiqet edhe nga vendet Europiane.

“Gjatë rrjedhës së historisë, Europa ka mësuar si të jetë më shumë vetëkritike sesa lëvduese për civilizimin e saj. Kjo nuk është diçka e keqe. Nuk flasim më për barbarë kundrejt popujve të civilizuar, edhe pse tundimi i disave që t’u kthehen këtyre kategorive bëhet më i fortë dita-ditës. Një frymë shkatërruese ka hyrë në mendjet e njerëzve, armiqësie e shprehur qartë, ndaj pikëpamjeve ndryshe, prirja për të censuruar, dëshira për të djegur, në vend se të ndërtojmë janë të gjitha mjaft të dukshme. Toleranca kërkon që ne të dalim jashtë zonës sonë të rehatisë, jo thjesht të tolerojmë, por të tolerojmë me respekt, të tolerojmë aktivisht në mënyrë të hijshme, jo thjesht duke pranuar pikëpamjet e tjera, por duke u angazhuar në mënyrë të përhershme me kompleksitetin e historive tona”, tha Rama. 

Çmimi i “Karlit të madh”, konsiderohet si një nga nderimet më të rëndësishme europiane dhe që prej vitit 1950, me këtë çmim janë nderuar individë dhe institucione me kontribut të spikatur në bashkimin dhe përparimin e Evropës./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *