Subscribe

Shqipëria shënon një pikë rënie në indeksin vjetor të perceptimit të korrupsionit, ndërsa Organizata Transparency International vë në dukje se vendi ynë ka bërë shumë pak përparim në 10 vitet e fundit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Këshilltarja për Evropën Lindore dhe Juglindore, Lidija Prokic shprehet se vihet re një problematikë në rritje sa i takon marrëdhënies së qeverisë me median.

 

LIDIJA PROKIC

KESHILLTARE, “TRANSPARENCY INTERNATIONAL”

 

“Ky ndryshim i vogël, një pikë më shumë ose një pikë më pak, nuk është aq i rëndësishëm sa prirja e përgjithshme. Kur flasim për Shqipërinë këtë vit, rezultati është 35 pikë, ndërsa për shembull, dhjetë vjet më parë, rezultati i Shqipërisë ishte 33 pikë, kështu që mund të themi vetëm se ka pasur shumë pak përparim në këtë periudhë 10 vjeçare. Dhe kjo sigurisht nuk është diçka për të cilën mund të jemi optimistë.”

 

Për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, në raport thuhet se pandemia u përdor si pretekst për të dobësuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien për prokurimet publike dhe shpenzimet e ndihmave të huaja.

 

“Ne jemi të vetëdijshëm se Shqipëria ka vënë në fuqi ligjin e ri ose ndryshimet në ligj për prokurimet publike dhe këto ndryshime po shkojnë në drejtimin e duhur. Megjithatë, ato duhet të zbatohen, ashtu si çdo rregullore tjetër që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit. Duhet të zbatohen në mënyrë konsistente, të paanshme dhe pa asnjë përjashtim.”

 

Sipas “Transparency International”, qeveritë në Ballkanin Perëndimor janë të prirura të miratojnë rregullore dhe ligje për luftën kundër korrupsionit por mungon vullneti politik për t’i zbatuar ato.

 

Një zhvillim dekurajues do të thoja është që në ndryshimet e fundit që Shqipëria ka miratuar në legjislacionin zgjedhor nuk janë përfshirë përmirësime lidhur me kërkesat për transparencën në financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore. Ky është jo vetëm një shans i humbur, por edhe tregues se në ç’nivel është synimi për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.”

 

 

Në krye të listës, me nivelin më të ulët të korrupsionit këtë vit janë Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re, ndërsa Somalia, Siria dhe Sudani i Jugut paraqesin gjendjen më të keqe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *