Muaji korrik ka thyer rekordet e temperaturave të larta. Sipas shkencëtarëve nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së, muaji që kaluam ishte 0.95 gradë Celsius më i ngrohtë se mesatarja e muajve gjatë shekullit të 20-të.

 

Korriku është përgjithësisht muaji më i ngrohtë i kalendarit, por meteorologët thonë se temperaturat e këtij viti, vendosën edhe një rekord të ri për 140 vitet e kaluara. Në disa vende evropiane përfshirë Francën, Belgjikën dhe Gjermaninë korriku përmbysi rekordet e mëparshme të temperaturave, duke lënë pas edhe disa viktima.

 

Temperaturat e larta rekord të kohëve të fundit sollën shkrirjen më masive brenda një muaji në Groenlandë, duke paralajmëruar ngritje të frikshme të nivelit të detit. Një studim i OKB-së paralajmëron se në vitet e ardhshme ndryshimet klimatike mund të ndikojnë edhe në sasinë e ushqimit që prodhon njerëzimi. Aty argumentohet se ndryshimet klimatike do të sjellin rënie të prodhimtarisë, rritje të çmimeve, ulje të cilësisë ushqyese të produkteve dhe ndërprerje të linjave të furnizimit.

 

Shkencëtarët në Komisionin e OKB-së për klimën thonë se faktorët e shkaktuar nga njeriu kërcënojnë ekosistemet e brishta të planetit.

 

Ndërkohë për ditët në vijim, meteorologët parashikojnë se një front i ftohtë me origjinë nga Oqeani Atlantik përmes Evropës do të fillojë të depërtojë edhe në Gadishullin e Ballkanit, duke freskuar motin dhe ulur temperaturat. Kjo do të jetë edhe fundi i valës së fuqishme të nxehtësisë tropikale.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *