Delegacioni shqiptar i kryesuar nga ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani ka udhëtuar drejt Brukselit për të marrë pjesë në konferencën e pestë ndërqeveritare në kuadër të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
Takimi i pestë i Konferencës me Shqipërinë i përcaktuar për tu zhvilluar sot pasdite, do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grupin 3 të titulluar ‘Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse’, duke përfshirë Kapitullin për transformimin dixhital dhe media), taksimin, politika ekonomike dhe monetare, politika sociale dhe punësimi, (politika e ndërmarrjeve dhe industrial, shkenca dhe kërkimi, arsimi dhe kultura si dhe bashkimi doganor.
Konferenca e Katërt Ndërqeveritare u mbajt më 14 Prill në Luksemburg, ku u hap grupkapitulli për tregun e brendshëm.
Në tetor të 2024-ës, gjatë kohës që Hungaria mbante presidencën e BE, u hap grupkapitulli i parë dhe më i rëndësishmi, kapitujt “Themelorë”, që prekin drejtësinë, administratën e shtetin e së drejtës
Por në çfarë hallkash ka kaluar procesi që nga 24 prilli i vitit 2009 kur Shqipëria drejtoi kërkesën për anëtarësim në BE?
Më 9 nëntor 2010, Komisioni Evropian lëshoi opinionin e tij mbi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Komisioni vlerësoi se përpara se negociatat e pranimit të hapeshin zyrtarisht, Shqipëria duhej të arrinte ende një shkallë të nevojshme të përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit, veçanërisht për të përmbushur 12 prioritetet kryesore të identifikuara në opinion.
Në tetor 2012, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat, me kusht që të përfundojnë masat kryesore në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe të rishikohet rregullorja e procedurave parlamentare.
Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në BE në qershor të vitit 2014, e që nga ajo kohë vijon përpjekjet për të arritur finalizimin e anëtarësimit brenda vitit 2030, objektiv ky i mbështetur edhe nga Bashkimi Europian, ndërsa qeveria Shqiptare shpreson të mbyll të gjithë grupkapitujt deri në vitin 2027./vizionplus.tv





