Duke ndjekur shembullin e Australisë, Britania e Madhe dhe Franca janë dakordësuar që t’i japin fund krizës shumëvjeçare të refugjatëve duke i transferuar ata në një qëndër azili, që sipas Londrës zyrtare, mund të jetë edhe në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga prestigjozja britanike “The Times” dhe mundësinë e një zgjidhjeje të tillë e konfirmoi edhe zëvendës kryeministri Dominik Raab.
DOMINIC RAAB
ZV/KRYEMINISTER, BRITANI E MADHE
“Ne kemi parë 19,000 kalime ilegale vetëm këtë vit, 65 dënime të dhëna për bandat kriminale që lulëzojnë në këtë tregti të mjerë. Sekretarja e Brendshme është takuar me homologen fanceze këtë javë. Vendosmëria e tyre është që të eliminojnë të gjitha këto kalime të paligjshme. Fokusimi në përpunimin rajonal, është ndoshta mënyra optimale për t’u marrë me refugjatët sa më afër burimit të jetë e mundur, ne duam të shikojmë me partnerët ndërkombëtarë se si ta zvogëlojmë faktorin tërheqës. Shqipëria është një nga këto vende.”
Nuk ka vonuar reagimi i kryeministrit Edi Rama dhe ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, të cilët e kanë mohuar kategoriksiht mundësinë për realizimin e një plani të tillë.
EDI RAMA
KRYEMINISTER
“Shqipëria nuk do jetë kurrë një vend ku shtete shumë të pasura do krijojnë kampe për refugjatët e tyre. Asnjëherë.”
Mediat britanike shkruajnë se kushdo që kërkon azil në Britani, pasi arrin në rrugë të paligjshme nga Franca, me gomone apo varka të vogla, do të dërgohet në qendrën e re brenda shtatë ditëve.
Projekti do t’i kushtonte taksapaguesit britanik 100,000 paund për çdo emigrant për fluturime dhe akomodim.
Këshilli Britanik për Refugjatët bëri të ditur se gati dy të tretat e migrantëve që kalojnë Kanalin për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar janë me origjinë nga Lindja e Mesme.
Më shumë se 61 përqind e atyre që bëjnë udhëtimin e rrezikshëm përgjatë 21 miljeve drejt Calais në Dover janë shtetas nga vende të tilla si Irani dhe Iraku.