Subscribe

Komisioneri i BE për zgjerimin Johannes Hahn ka kundërshtuar fort idenë e ngritjes së kampeve të refugjatëve në vendet e Ballkanit duke argumentuar se nuk ka një ligj të përbashkët për këtë dhe se nuk mundet kurrsesi të lejohet rikthimi i krizës së vitit 2015.

 

Deklarata e Hahn vjen në një kohë kur Shqipëria mendohej se do të ishte një nga vendet pritëse për emigrantët, bazuar në deklaratën e pak ditëve më parë të kancelarit Sebastian Kurz.

 

Ai është shprehur se ka një përpjekje të tillë dhe janë marrë në konsideratë vendet jo anëtare të BE. Por ne intervistën e dhënë për “Der Spiegel” Hahn është i prerë në qëndrimin e tij për të mos e lejuar një gjë të tillë pasi kjo do të shkaktonte paqëndrueshmëri, aq më tepër në një kohë kur Komisioni Europian është i vendosur të sugjerojë hapjen e negociatave për Shqipërinë.

 

“Unë kam paralajmëruar qëkurse në valën e parë të krizës së emigracionit në vitin 2015 që vendet e rajonit joanëtarë të BE-së, nuk mund të bëhen vendparking për refugjatët. Këtë qëndrim e mbaj edhe tani. E kuptoj se ideja e shmangies së problemit duke ia adresuar vendeve të tjera, është tërheqëse për politikanët, por kampe të tilla janë praktikisht të pakonceptueshme nëse nuk ekziston një ligj i përbashkët europian për azil. Sot kemi 28 ligje të ndryshme të azilit, kështu që azilkërkuesi duhet të jetë në gjendje të zgjedhë se cilin duhet të përdorë. BE duhet të parandalojë që migrantët të mbyten në rajonin e Ballkanit.”

 

Kancelari Kurz më herët e ka bërë të qartë se ishte një objektiv i rëndësishëm i presidencës austriake për të futur vendet e Ballkanit Perëndimor në BE. Në përgjigje të kësaj, Hahn argumenton se sipas Brukselit, planet për kampin e refugjatëve janë mjaft kundërproduktive ndaj këtij qëllimi.

 

“BE dëshiron të shpenzojë më shumë para për mbrojtjen e kufijve të jashtëm. Kuadri i ardhshëm financiar i BE-së ofron burime shumë më të mëdha se më parë në dispozicion për të trajtuar çështjet e migracionit. Për vitet 2021 deri 2027, Komisioni i BE planifikon të shpenzojë 123 miliardë euro për përpjekjet e politikës së jashtme siç është ndihma për zhvillim.”

 

Komisioneri Hahn është shprehur optimist se nuk janë kushtet që të përsëritet kriza e vitit 2015 por sipas tij Bashkimi Europian do të punojë fort në mënyrë që rajoni të mbetet i paprekur nga paqëndrueshmëritë dhe të vijojë rrugën e tij drejt integrimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *