Subscribe

Pas një fushate me përplasje të dhunshme midis mbështetësve të ekstremit të djathtë dhe protestuesve antifashistë mbi emigracionin dhe ekonominë, sot rreth 46 milionë italianë votojnë Parlamentin e ri.

 

Legjislatura e re do të ketë 618 deputetë, 309 senatorë e 18 parlamentarë të zgjedhur nga diaspora italiane.

 

Mes kandidaturave janë edhe 4 shqiptarë, Bruna Mece, Emiliano Biraku, Anita Likmeta dhe Elona Gaxha.

 

Qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 23:00 ndërsa në orët e para të së hënës priten rezultatet zyrtare.

 

Gara për fituesin është e fortë mes koalicionit të majtë të drejtuar nga Partia Demokratike e ish kryeministrit Matteo Renzi, koalicioni i djathtë në drejtimin e Forza Italia” të Berlusconit dhe ‘Lëvizja 5 Yje’ e drejtuar nga lideri i saj Luigi Di Maio. Kushtetuta italiane nuk lejon publikimin e sondazheve 15 ditë përpara zgjedhjeve por sipas parashikimeve të dy javëve më parë duket se asnjë nga partitë apo koalicionet nuk do të mund të marrë mbështetje të mjaftueshme për të fituar një shumicë të qartë.

 

Kriza e emigracionit e fluksi i madh i emigrantëve klandestinë që çdo ditë zbarkojnë në brigjet italiane, sistemi fiskal, situata ekonomike, papunësia e problematikat sociale kanë qenë temat kryesore të premtimeve elektorale. Zgjedhjet politike në Itali kanë shqetësimin dhe vëmendjen e Brukselit pasi ligji i ri elektoral parashikon fitues atë forcë politike që merr të paktën 40 % të votës së italianëve, në rast të kundërt qeveria do të krijohet vetëm nga një koalicion i gjerë politik. Por forcat kryesore politike si të së majtës ashtu dhe të së djathtës janë shprehur kundër një koalicioni të tillë duke shfaqur rrezikun e krijimit të një qeverie teknike deri në zgjedhjet e reja.

 

Një skenar i tillë politik do të thotë  mungesë stabiliteti në vend me pasoja negative në tregun ekonomik. Vota e të pavendosurve apo pjesëmarrja në votime sipas analistëve do të jetë përcaktuese në këto zgjedhje.

 

Në Itali jetojnë gati gjysmë milioni shqiptarë. Rreth 200 mijë prej tyre kanë marrë nënshtetësinë italiane e përllogaritet se nga 100-150 mijë emigrantë shqiptarë kanë të drejtën e votës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *