Giuseppe Conte ka marrë sërish mandatin e kryeministrit nga presidenti Italian, Sergio Mattarella, pas arritjes së marrëveshjes së koalicionit mes Lëvizjes “5 Yjet” dhe Partisë Demokratike. Në një konferencë për shtyp, kreu i zgjedhur i ekzekutivit premtoi se qeveria e re do t’i kthejë Italisë rolin drejtues që meriton në arenën ndërkombëtare.

 

 “Presidenti i Republikës, të cilin e falënderoj, më ka dhënë detyrën e formimit të qeverisë, të cilën e pranova me rezervë. Sot do të filloj konsultimet me të gjitha grupet parlamentare dhe do t’i kushtohem hartimit të programit me forcat politike që kanë shprehur mbështetje. Ne jemi në agimin e një legjislature të re të BE-së dhe duhet të marrim kohën e humbur për të lejuar që Italia të luajë rolin drejtues që meriton. Nuk do të jetë një qeveri” kundër “por një qeveri për të modernizuar vendin dhe për qytetarët. Ne do të punojmë për “një vend më të mirë.”

 

Pas një raundi të vështirë konsultimesh, drejtuesi i Lëvizjes 5 Yjet Luixhi di Maio tha se bashkëpunimi me demokratët ishte mundësia e vetme për të shmangur krizën politike, që nuk i shërben aspak Italisë kur shqetësimi kryesor mbetet ekonomia.

 

Kreu i 5 Yjeve refuzoi ofertën e ish-aleatit Salvini për një tjetër qeveri të përbashkët që mund ta drejtonte vetë Di Maio. Në të njëjtën linjë ishte edhe sekretari i përgjithshëm i demokratëve Nikola Zingareti.

 

Ndërsa Kreu i Lega Nord, Mateo Salvini akuzoi dy partitë për pazare ministrash, që kanë shmangur vëmendjen nga zgjidhjet e problemeve për italianët. Analistët thonë se tashmë edhe dështimi më i vogël i qeverisë së re që synon të qëndrojë në pushtet deri në 2023-shin do të përkthehet në rritjen e mbështetjes për Lega Nordin dhe të djathtën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *