Inter dominues dhe spektakolar edhe në javën e 15 të kampionatit italian. Zikaltërit fituan 4 me 0 në “San Siro” në ndeshjen e transmetuar në Tring, duke rimarrë kreun e renditjes vetëm 24 orë pasi ishin parakaluar nga Juventus.

Skuadra e Inzagit ngjitet në 38 pikë, ndërsa bardhezinjtë janë tashmë të dytët me 36 pikë. Asnjë histori në duelin e luajtur në Milano. Diferenca të mëdha në lojë mes dy ekipeve. Pas një shtylle të Lautaros dhe disa rasteve, rezultati u zhbllokua nga turku Hakan Çalhanoglu me penallti në minutën e 37.

Pastaj dy gola të tjerë që mbyllën pjesën e parë nga Di Marko dhe Turam. Në fund të pjesës së dytë edhe një supergol i Lautaros për të mbyllur ndeshjen.

Milani mbetet shumë pas në raport me kreun, plot 9 pikë, pasi kuqezinjtë u mundën nga Atalanta e Berat Gjimshitit 3 me 2. Sukses i rëndësishëm për skuadrën bergamaske, që mban gjallë shpresat për të vijuar luftën për zonën Champions.

Pjesa e parë u mbyll 1 me 1 me Lukman që shënoi fillimisht për vendasit, ndërsa në fund barazoi Zhiru. Në të dytën ishte sërish Lukman që ndëshkoi kuqezinjtë, pavarësisht se Joviç i ardhur nga stoli barazoi shifrat.

Në shtesë Milani mbeti me 10 lojtarë për shkak të kartonit të dytë të verdhë të Kalabrias. Jo vetëm kaq, por në minutën e 94 një super gol me finte i Muriel, ndëshkoi kuqezinjtë.

Berat Gjimshiti kaloi dëmtimin e lehtë dhe luajti në minuta si titullar, duke bërë një ndeshje pozitive./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *