Subscribe

Ulja ndjeshëm e vaksinimit të detyruar sidomos pas pandemisë po rrezikon fëmijët nga një sërë sëmundjesh. Kështu ndodhi me fruthin që pati një shpërthim jo vetëm në vendin tonë por edhe në Europë duke regjistruar shifra shumë të larta.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik gjatë vitit 2023 mbulesa vaksinale ndaj fruthit në të gjithë vendin arriti në 92 % me dy doza dhe pas përhapjes së infeksionit u rrit me 3%.

“Fëmijët që kanë qënë të pavaksinuar kanë shkuar vetë pranë qendrave dhe janë vaksinuar, por nuk duhet të presim që të kemi raste për të shkuar për t’u vaksinuar. Nëse me dy doza gjatë viti 2023 kishim vetëm 92% fëmijë të vaksinuar, besoj që një 3% është rritur kjo mbulese vaksinale dhe kemi arritur në 95% dhe shpresoj që të jenë ndërgjegjësuar prindërit që të vaksinojnë fëmijët në kohë”, tha përgjegjësja e programit të vaksinimit, Rovena Daja.

Rënie të lehtë ka pësuar edhe vaksina ndaj difterisë, tetanozit, turberkulozit duke rrezikuar fëmijët nga rikthimi i disa sëmundjeve ngjitëse, si “kolla e mire” që prej shumë vitesh nuk ishte shfaqur në vendin tonë.

“Pati një stepje për të shkuar në qendrat shëndetësore për t’u vaksinuar në pikat e vaksinimit. Kemi pasur një ulje jo shumë të ndjeshme, por nën 95% të mbulesës vaksinale”, tha Daja.

Për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve institucioneve arsimore iu është kërkuar të mos lejojnë fëmijë pa certifikaten e vaksinimit, por ky vendim nuk gjen zbatim në të gjitha kopshtet dhe shkollat e vendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *