Subscribe

Kryeministri Edi Rama nuk e kurseu zhgënjimin ndaj Bashkimit Europian edhe në samitin që u mbajt sot në Brdo të Sllovenisë. Në fjalën e tij, shefi i ekzekutivit u tregua pesimist ndaj asaj që tashmë duhet të presë nga unioni.

 

“Është disi e dhimbshme për shqiptarët të dëgjojnë prej Europës përsëri e përsëri që, po, sigurisht, Shqipëria i ka bërë detyrat e saj, por prapëseprapë të shohin BE-në që ata aq shumë e adhurojnë, se fatkeqësisht mund të mos e mbajë fjalën e dhënë.”

 

Sa i takon bllokadës që ka vendosur Sofja në procesin e integrimit, kryeministri deklaroi se e ka humbur besimin që rruga të lirohet shpejt.

 

“Miqtë tanë bullgarë duken të zënë në kurthin e zjarrit që e ndezën për të ngrohur votuesit me flakët e një të kaluare plot lavdi. Ndoshta atyre votuesve as që u bëhet vonë që kanë marrë peng dy shtete, të cilat sipas të tëra hesapeve janë të pafajshme dhe krejt në rregull me detyrat.”

 

Rama komentoi edhe planin më të madh të investimeve që BE ka dhënë ndonjëherë për rajonin.

 

“Plani duket vërtetë shumë ambicioz, ndërsa modus operandi i deritanishëm për jetësimin e tij jo dhe aq – mos qoftë e thënë që edhe ky plan të zvarritet si integrimi europian. Një kujtesë këtu: Vendet tona kanë akses në 11 herë më pak fonde europiane për frymë, sesa fqinjët tanë anëtarë të Bashkimit Europian.”

 

Duke iu referuar iniciativës “Ballkani i Hapur”, Edi Rama kërkoi që të mbështetet për të mos lejuar që rezultatet e arritura me procesin e Berlinit, të shkojnë dëm.

 

“BE-ja duhet ta mbështesë plotësisht Ballkanin e Hapur, që është një nismë e dakordësuar mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, për të mos lejuar që procesi vizionar i Berlinit të katandiset në hijen e vetvetes, e të kthehet në një tur samitesh të përvitshme nëpër Europë, të cilat përsërisin vetveten, njësoj siç përsërit ky samit atë të 18 viteve më parë, pa sjellë rezutate të reja të prekshme për njerëzit tanë.”

 

Me notë proteste, kryeministri Rama foli edhe për mungesën e liberalizimit të vizave me Kosovën.

 

“Po si i bëhet për shembull, për ekzistencën e 2 milionë qytetarëve të Kosovës ende të kyçur brenda në vendin e tyre, disa vjet pasi vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave? BE-ja ka liberalizuar vizat për 52 milionë njerëz jashtë hartës së ardhshme të Unionit dhe jo vetëm përpara, po edhe pasi ajo vetë ka deklaruar, publikisht, se Kosova i përmbushi të gjitha kriteret teknike; madje përmbushi edhe një kriter pa lidhje, që iu kërkua shtesë, demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. E di e di, është ajo që është.”

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *