Në të parën intervistë dhënë për emisionin “E-ZONE”, si ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj thotë se sfidat e këtij mandati qeverisës janë të shumta.
Kryesorja, që është dhe shtylla e programit, është anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian.
Por një nga sfidat e brendshme më komplekse është skema deficitare e pensioneve, e cila nuk nxit rritjen e pensioneve për mijëra të moshuar.
Ministrja që sapo ka marrë detyrën thotë se kjo është dhe sfida e saj në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe se premtimi i qeverisë për pensionin mesatar të arrijë në 400 euro në muaj do të bëhet realitet.
“Është zotimi ynë si qeveri, që në këtë mandat deri në përfundimin e tij të kemi realizuar objektivin që i kemi vënë vetes, pension mesatar 400 euro. Kjo shifër është pjesë e studimeve që kemi bërë dhe nga të dhënat e skemës së pensioneve deri në fund të mandatit do të kemi realizuar këtë objektiv. Aktualisht çdo pensionist përfiton disa kompensime shtesë, siç janë ato në faturën e energjisë, bonuset që merr gjatë një viti, që në final e bëjnë që pensioni aktual të jetë më i lartë se ai që deklarohet”, tha Ibrahimaj.
Sot pensioni mesatar arrin në 18 mijë lekë në muaj, ndërsa pensioni minimal kap shifrën e 11 mijë lekëve. Në total janë rreth 700 mijë pensionistë, por më shumë se gjysma e tyre përfitojnë pension nën atë mesatar, një tregues ky që e vendos Shqipërinë si vendin që ofron pensione që nuk mjaftojnë për një jetë dinjitoze./vizionplus.tv





