Hoxha: Protesta e dhunshme është tjetër gjë, nuk është vazhdimësi e asaj për flamingot

Gazetari Artan Hoxha u shpreh se protestat e zhvilluara në Tiranë nuk lidhen vetëm me çështjen e flamingove në Zvërnec, por janë shprehje e pakënaqësisë së qytetarëve ndaj korrupsionit dhe problemeve të shumta në vend.
Sipas tij, flamingot shërbyen si simbol dhe si shkëndijë që nxiti reagimin qytetar.
Hoxha theksoi në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus se protestuesit i bashkon kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa lëvizjen e tanishme nuk e sheh thjesht si vijimësi të protestave të mëparshme.
Ai akuzoi gjithashtu kryeministrin se nuk e njeh dialogun, por përdor presionin ndaj kundërshtarëve.
“Sot ata njerëz janë në shesh, edhe ata që kanë qenë dje, edhe ata që do të vijnë, i bashkon një pikë: dorëheqja e Ramës. Me dorëheqjen e Ramës do të kemi zgjedhje si ato që bëri Vuçiçi.
Qytetarët e Tiranës nuk dolën për flamingot, por për shumë probleme. Lëvizja nuk u ngrit për flamingot, ato thjesht shërbyen si shkëndijë. Ishte për korrupsionin, i cili ishte kaq i madh dhe kaq i dukshëm. Donin të na zhduknin territoret, të na i merrnin para syve. Flamingot ishin thjesht një simbol i pakënaqësisë. Dolën në protestë sepse vaji kishte arritur aty ku nuk mbante më. Mua nuk më duket se është vijimësi e protestës. Këta tani janë diçka tjetër. Mund të ketë pjesëmarrës edhe nga protesta e flamingos, por është diçka tjetër. Edi Rama nuk e njeh dialogun, njeh vetëm shkelmin në fyt”, tha Artan Hoxha.
/vizionplus.tv




