Greqia do të vijojë të jetë mbështetëse e fuqishme e integrimit evropian të Shqipërisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti grupin e miqësisë me Shqipërinë në Parlamentin e Greqisë, të kryesuar nga Kryetari, Vassilios Giogiakas. Në përbërje të delegacionit ishin edhe nënkryetarja, Maria Kefala dhe sekretari i grupit Konstantinos Barkas.

Gjatë bashkëbisedimit, Veliaj dhe deputetët grekë vlerësuan raportet e shkëlqyera mes dy vendeve. “Ne kemi një komunitet shqiptar jashtëzakonisht të madh dhe të rëndësishëm në Greqi. Kanë shkuar atje fillimisht si refugjatë, sot kanë bërë biznes, kanë krijuar familje, kanë prodhuar histori suksesi. E njëjta gjë edhe me minoritetin grek, që jeton në Shqipëri. Janë të respektuar, bëjnë biznes, kanë aktivitet ekonomik. Jemi si një familje. Kur shikon luftën në Ukrainë dhe Rusi, kupton që ka shumë rëndësi fakti se cilet ke fqinj. Ne jemi të bekuar që kemi fqinj Athinën e Demokracisë dhe Romën e shtetformimit modern. Besoj se duhet ta kultivojmë këtë miqësi të mire”, theksoi Veliaj.

Ai u shpreh se pavarësisht zhvillimit të viteve të fundit, Tirana mund të mësojë nga eksperienca greke në fushën e turizmit dhe të agro-turizmit. “Folëm sesi mund të binjakëzojmë universitetet, si mund të binjakëzojmë gjimnazet dhe si të sigurohemi që mësojmë nga historitë e njëri-tjetrit. Vitet e fundit kemi pasur një zhvillim galopant nga transformimi i Tiranës, por kemi ende shumë për të mësuar, si menaxhohen ishujt grekë, si janë kthyer në një burim të jashtëzakonshëm financash në turizëm, në agro-turizëm, edhe agro-përpunim, sidomos në zonat kufitare në mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku kemi disa nga historitë e suksesit”, deklaroi kreu i Bashkisë.

Kryetari i grupit të miqësisë me Shqipërinë në Parlamentin grek, Vassilios Giogiakas siguroi për mbështetjen e Shqipërisë në rrugëtimin evropian. “Greqia është një shtyllë stabiliteti në rajon dhe duam të theksojmë se sa e mbështesim iniciativën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pikërisht, në kuadrin e bashkëpunimit të përbashkët mes dy popujve dhe mes dy qeverive, të ngremë edhe më lart idealet që na lidhin dhe marrëdhëniet esenciale që krijojnë këtë raport të mrekullueshëm midis dy vendeve. Dua të theksoj kryesisht zhvillimin e turizmit, bujqësisë, agro-turizmin, ku Greqia mund të ofrojë një ide teknike shumë të vyer që të kemi produkte sa më të mira”, tha Vassilios Giogiakas.

Kryetari Vassilios Giogiakas dhe anëtarët e delegacionit të grupit të miqësisë vlerësuan se Shqipëria është një vend fqinj dhe mike e Greqisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *