Subscribe

Ndërkohë që papunësia e të rinjve në Greqi ka arritur në 64% dhe në shifrat totale të papunësisë, ku 25 % e zënë fermerët dhe peshkatarët, Greqia vazhdon të hedhë sytë nga vendet joanëtare të Bashkimit Evropian për të gjetur punëtorë që do të punojnë me leje qëndrimi dhe pune dhe me siguracione shoqërore për një periudhë kohëre të paktën gjashtëmujore.

 

Edhe për arsye të mosdashjes së grekëve për të bërë punë krahu, për nevojat e Greqisë për vitin 2017 dhe 2018 janë kërkuar nga ministritë përkatëse  51.146 leje qëndrimi për punë sezonale nëpër fusha dhe bregdet në të gjithë vendin.

 

Kjo shton shanset për emigrantët shqiptarë, të cilët janë vazhdimisht në kërkim të punëve të tilla në vendin fqinj.

 

Nevojat më të mëdha për të punësuar të huaj janë në Greqinë Veriore. Numri i punëtorëve të tokës për periudhën e kërkuar është  më shumë se dyfish krahasuar me periudhën 2015-2016, me rreth 20.005 të huaj.

 

Punëdhënësit në këto fusha shprehen se kanë shumë vështirësi të gjejnë punëtorë krahu grekë dhe janë të detyruat t’i hyjnë procedurave për leje pune e qëndrimi për të punësuar të huaj. Lejet e punës janë për gjashtë muaj në vit si punëtorë toke dhe 11 muaj si punëtorë në peshkim.

 

Kjo marrëveshje u nënshkrua ndërmjet Ministrit të Politikave Migratore, Ministrit të  Ekonomisë dhe Zhvillimit, Ministrit të Jashtëm Nikos Koxias, Ministrit të Punës  si dhe Ministrit të Politikave Ishullore.  Madje, as grekët që banojnë në zonat e caktuara nuk tregojnë gatishmëri dhe interes të punojnë në fusha. Kushtet e vështira të punës së krahut, shpresa për një punë më të mirë, kërkesat dhe pretendimet për një pagesë më të mirë duket se dekurajojnë të papunët grekë.

 

Punëtorët e huaj jashtë vendeve të Bashkimit Evropian do të paguhen 20-25 euro në ditë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *