Një shpërthim i fuqishëm tronditi Athinën mëngjesin e të premtes. Ngjarja ndodhi rreth orës 3.25 të mëngjesit, jashtë Gjykatës së Apelit.

 

Fatmirësisht nuk pati viktima apo njerëz të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme, sidomos në fasadën e gjykatës dhe në dritare.

 

Sipas policisë, 4 katër persona dyshohet se janë autorët e krimit. Ata janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në momentin kur i janë afruar me furgon të bardhë ndërtesës. Dy prej tyre dolën nga automjeti dhe vendosën një çantë me eksploziv para Gjykatës së Apelit.

 

Roja dëshmoi para autoriteteve se u përpoq t’i ndalte agresorët, por shoferi i fugonit ka nisur të qëllojë me armë në drejtim të tij, duke e detyruar të mos lëvizë.

 

Automjeti i përdorur nga të dyshuarit, është gjetur i djegur në një zonë tjetër, jo shumë larg gjykatës.

 

Zëdhënës i Policisë greke tha për mediat se të gjitha opsionet në lidhje me motivet e autorëve janë të hapura. Nuk është ende e qartë nëse bëhet fjalë për akt terrorist, pasi mediat e vendit fqinj raportuan një paralajmërim për shpërthim, para se të ndodhte sulmi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *