Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në një fjalim për festën e Falënderimeve u ka bërë thirrje amerikaneve të  respektojnë kufizimet për përhapjen e pandemisë edhe pse është një sakrificë e madhe.

 

Biden ka theksuar se për t’u mbrojtur nga virusi qytetarët duhet të “heqin dorë” nga traditat familjare dhe të durojnë një festë kombëtare mes kufizimeve.

 

JOE BIDEN

PRESIDENT I ZGJEDHUR

 

“E kuptoj se sa e vështirë është të heqësh dorë nga traditat familjare. Por është shumë e rëndësishme në këtë kohe të vështirë. Jemi përballë një dimri të gjatë dhe të vështirë.

 

Edhe pse qytetarët janë lodhur nga situata e krijuar nga pandemia, sipas Biden, jeta e tyre do të kthehet në normalitet nëse ata bashkohen për të luftuar virusin.

 

 

“Unë e di që ne do ta mposhtim këtë virus. Jeta do të kthehet në normalitet. Ju premtoj. Kjo do të ndodhë. Nuk do të zgjasë përgjithmonë. E kuptoj që vendi është i lodhur nga lufta. Por duhet të kujtojmë, ne jemi në luftë me virusin, jo me njëri-tjetrin. Ky është momenti ku ne duhet të forcojmë shtyllën kurrizore, të dyfishojmë përpjekjet dhe të angazhohemi përsëri në këtë luftë.”

 

Ndërkohë, edhe pse ka lejuar tranzicionin e pushtetit, Presidenti Trump nuk ka hequr dorë nga beteja ligjore për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve.

 

Në një takim me ligjvënësit  republikanë të Pensilvanisë avokati i Trump ka insistuar se zgjedhjet janë manipuluar.

 

Presidenti në një lidhje telefonike është shprehur se votat janë vjedhur dhe se fituesi i zgjedhjeve presidenciale është ai.

 

Nga ana tjetër, një gjykatës ka pezulluar certifikimin e zgjedhjeve në shtetin e Pensilvanisë, derisa për çështjen e votave të kontestuara të shprehet gjykata e lartë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *