Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf reagoi pas miratimit në Parlament të ndryshimeve në Kushtetutë për të hapur pjesërisht listat. Zingraf u shpreh në “Facebook” i keqardhur për klimën e trazuar politike që po mbizotëron. Ai u bëri thirrje palëve që të ulen dhe të bashkëpunojnë.

“Shpreh keqardhjen që megjithë marrëveshjen e arritur dhe tanimë të vendosur në ligj të 5 qershorit reforma zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese. Unë respektoj rolin institucional të parlamentit, por njëkohësisht kuptoj që prej marrëveshjes së 5 qershorit rezultojnë pretendime legjitime për një dialog gjithëpërfshirës. Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor si dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit. Në këtë kontekst duhet të diskutohen në mënyrë të veçantë çështjet e listave të hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në frymën e përfshirjes dhe të bashkëpunimit.”

Peter Zingraf i kujtoi politikës shqiptare rëndësinë që ka reforma zgjedhore për hapjen e negociatave për Shqipërinë me Bashkimin Evropian.

“Sjell në vëmendje, që reforma zgjedhore mbetet një element qendror në përmbushjen e kushteve të formuluara nga Këshilli i BE-së (dhe në mënyrë të ngjashme nga Bundestag-u) përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit me BE-në dhe se zbatimi i suksesshëm i saj është një prej kushteve të grupit të dytë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *