Ekspert i çështjeve të integrimit, Gledis Gjepali, tha se Bashkimi Europian ndodhet në një moment të vështirë për shkak të kërkesave dhe qëndrimeve të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, për çështje të ndjeshme si Grenlanda.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, Gjepali thekson se vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Europian për gati shtatë dekada po vihen në provë nga qëndrimet e reja të Uashingtonit.
Sipas tij, ekziston një rrezik real për vetë kohezionin e BE-së, nëse vendet anëtare nuk arrijnë të mbajnë një qëndrim të unifikuar përballë sfidave të jashtme.
Gjepali shprehet se qëndrimet e paqarta të SHBA-ve kanë ndikuar jo vetëm në marrëdhëniet transatlantike, por edhe në stabilitetin e zonave të konfliktit dhe në rolin e organizatave shumëpalëshe, si Kombet e Bashkuara.
INTERVISTA E PLOTË:
Autoritetet dhe qeveria vijojnë të jenë optimistë në lidhje me ecurinë e negociatave, duke iu përmbajtur objektivit se integrimi deri në vitin 2030 mbetet i mundur. Megjithatë, aktualisht vetë Bashkimi Europian është disi i trazuar apo i shqetësuar për shkak të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Do të donim një opinion për këtë çështje.
Gledis Gjepali: Është një moment i vështirë, në fakt, për shkak të kërkesave që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë në lidhje me Grenlandën. Tashmë ka një diskutim brenda Bashkimit Europian se si do të jetë reagimi dhe cilët do të jenë hapat e ardhshëm. Ky është patjetër një prioritet më i rëndësishëm për Bashkimin Europian se çdo gjë tjetër. Gjithsesi, mendoj që procesi i zgjerimit nuk preket, të paktën në një periudhë afatshkurtër, sepse këto janë çështje që dalin herë pas here dhe patjetër duhet të ketë një reagim dhe një qëndrim të përbashkët të Bashkimit Europian për t’i adresuar ato.
Vlerat e Bashkimit Europian, të projektuara në gati shtatë dekada, pra vlerat e deritanishme të bashkëpunimit ekonomik e politik, duket sikur nuk po përfillen më nga Uashingtoni dhe Presidenti Trump. A rrezikohet ekzistenca e vetë Bashkimit Europian në këto kushte?
Gledis Gjepali: Ka një rrezik real, sepse kjo varet nga reagimi i vendeve anëtare. Siç e dimë, ka një sërë vendesh anëtare të cilat kanë kundërshtuar një pjesë të iniciativave të Bashkimit Europian apo janë më të linjëzuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për disa nga çështjet. Në këtë aspekt, është shumë e rëndësishme që të kemi një qëndrim të unifikuar nga të gjitha vendet anëtare. Nëse nuk do të kemi një qëndrim të tillë, atëherë rrezikon shumë vetë kjo strukturë europiane, sepse nuk do të arrijë t’u bëjë ballë sfidave, qoftë edhe vendosjes së tarifave, ku përgjigjja duhet të jetë nga të gjitha vendet. Është e pamundur që një vend të marrë masa në mënyrë bilaterale, sepse tashmë kemi një treg të përbashkët europian. Një vend e ka të pamundur të veprojë i vetëm, do të duhet dakordësia e të gjitha vendeve. Nëse nuk arrihet një dakordësi e tillë, atëherë humbet edhe nevoja e ekzistencës së Bashkimit Europian.
Sot është data 20 janar dhe u mbush plot një vit që kur Presidenti Trump mori funksionet e tij. Që nga ajo kohë, të gjithë jemi dëshmitarë se nga Uashingtoni kanë fryrë dhe vijojnë të fryjnë era të tilla që nuk i respektojnë shumë rregullat ndërkombëtare dhe të gjithë infrastrukturën e rregullave që kanë mbajtur në këmbë bashkëpunimin ekonomik në rang global. Çfarë ka sjellë në këtë kuadër gjithë kjo që unë përmenda, e cila cilësohet si një “erë” që fryn nga Uashingtoni, në përgjithësi përtej Bashkimit Europian?
Gledis Gjepali: Në të vërtetë, kjo ka sjellë një lloj pasigurie në të gjitha vendet e globit, për shkak të qëndrimeve dhe pozicioneve të ndryshme që janë mbajtur gjatë vitit të parë të presidencës Trump. Gjithashtu, për shkak të situatave të veçanta në zonat me konflikte ku ka pasur ndërhyrje amerikane, apo në ato zona ku më parë Shtetet e Bashkuara garantonin stabilitetin, tani kjo nuk garantohet më. Pra, nuk dihet se çfarë qëndrimi mund të mbajnë Shtetet e Bashkuara apo Presidenti Trump, dhe kjo krijon një klimë pasigurie qoftë në krijimin e aleancave, qoftë në pozicionimin e vendeve kundrejt organizatave shumëpalëshe, siç është OKB-ja në radhë të parë, por edhe organizata të tjera që tashmë janë zbehur e kanë humbur rëndësinë e tyre.
/vizionplus.tv





