Subscribe

NGA: BLERINA CENE

Ministri i Drejtësisë për vitet 2005-2007, Aldo Bumçi, dëshmoi sot në Prokurorinë e Posaçme për procesin e Gërdecit. Pyetjes se prokurorit, Klodian Braho lidhur me shkresën që pretendohet se ka dalë nga ministria e tij më 9 mars 2007 dhe mbante shënimin “Për Z. Shkëlzen Berisha” ai e mohoi me forcë se kjo gjë ka ndodhur. Ish- ministri pranoi se e njeh Shkëlzen Berishën dhe se ai ka shkuar dy apo tri herë në zyrën e tij, por vetëm për fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale.

Lexo edhe :

Related Posts

“Asnjë fax nuk është derguar nga unë, asnjëherë, për asnjë ministër. Ministri firmos shkresa, që më pas protokollohen dhe dërgohen. MM e ka pasur shkresën 5 ditë para mbërritjes së faksit me shënim. Unë kam bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës dhe kam kërkuar akt ekspertim kaligrafik. Ja po e marrim të mirëqenë se do të flisja me Shkënzen Berishën. Këtë do ta bëja me fax? Kisha mënyra të tjera kontakti. Ajo është një falsifikim, vetëm për të mbajtur gjallë një çështje politike”, theksoi Bumçi.


Sot Gjykata e Posaçme kishte kërkuar edhe dëshminë e Shkëlzen Berishës, por ai nuk është paraqitur pasi sipas prokurorit ka ndryshuar adresën e shtëpisë. Vetë djali i ish- kryeministrit Berisha ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me pretendimin e SPAK, duke thënë se ky qëndrim është në funksion të qëllimeve politike të Edi Ramës.

Nga ana tjetër ai u tregua i hapur për të dëshmuar në këtë proces ku i pandehur është marrë ish- Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Ky i fundit, ishte prezent sot në Gjykatë, e jashtë dyerve të saj pranoi se procesi i çmilitarizimit të municioneve të dala nga përdorimi ishte një domosdoshmëri për tu anëtarësuar në Aleancën Veri- Atlantike.

 

“S’kam bërë as më shumë dhe as më pak se detyrën time! Në muajin maj më është raportuar për ndërtim të paligjshëm në Gërdec. Po flas qartë, kompania kishte bërë shkelje. Ky vjen si shqetësim i Policisë Ushtarake, dhe nuk e vendos unë gishtin e akuzës. Nuk ka një akt që të kem neglizhuar. dhe e kam denoncuar”, tha ai.

Seanca e radhës ku do të pyeten edhe 5 dëshmitarë të tjerë krahas atyre që nuk dëshmuan sot, do të jetë në 27 dhjetor./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *