Këto janë pamjet fatkeqe që flasin për tragjedinë qe ka shkaktuar  kriza e emigrantëve. Një burrë nga Salvador dhe vajza e tij 23 muajshe u mbytën në Rio Grande, ndërsa nëna arriti të shpëtojë. Oscar Ramirez dhe vajza e tij Valeria u gjetën me fytyrë në ujë në breg të lumit në anën e Meksikës.

Edhe pse masat për të kontrolluar fluksin e emigrantëve në kufirin me Meksikën janë shtuar, situata mbetet ende tejet shqetësuese sidomos për fëmijët të cilët janë ndarë nga prindërit dhe mbahen në stacionet e patrullimit.

Akuzat për mungesë higjene, veshjesh, kujdesi mjekësor apo nevoja të tjera kyce, vijnë gjithnjë e në rritje nga aktivistë të të drejtave të njeriut. Në këto kushte kur debati është i ashpër në SHBA demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë miratuar 4.5 miliardë dollarë ndihma humanitare për kufirin jugor. Por projektligji përballet me një rrugë të vështirë në senatin e kontrolluar nga republikanët.

Politika “Zero tolerancë” e presidentit Trump e cila nisi në fillim të vitit 2018, ka shkaktuar një krizë humanitare në kufirin me Meksikën. Në mes të një proteste të madhe publike rreth kushteve me të cilat ballafaqohen fëmijët komisioneri John Sanders, i cili vepron për Mbrojtjen e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit, dha doreheqjen.

Gjatë javëve të fundit, kanë qarkulluar mjaft lajme për fëmijët e mbajtur nëpër qendra, numri i të cilëve ka ardhur duke u rritur. Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, deri në maj të këtij viti, janë ndarë nga prindërit, apo të rritur të tjerë me të cilët ata kanë qenë duke udhëtuar, rreth 2 mijë fëmijë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *