Gjatë trazirave gati gjashtë mujore në Iran, regjimi i Teherani filloi burgosjen e kundërshtarëve dhe kërcënoi mediat jashtë vendit. Por, disa ekspertë thonë se këto taktika kanë humbur fuqinë e tyre për të frikësuar kritikët e regjimit.

 

Vdekja e një vajze ndërsa ajo po mbahej në paraburgim nga “policia e moralit” shkaktoi trazira që zgjatën gati gjashtë muaj në Iran.

 

Në shtator të vitit të kaluar, 22-vjeçarja Mahsa Amini u arrestua për atë që policia e Republikës Islamike e quaji “veshje jomodeste”. Teherani publikoi një video që pretendonte se Mahsa Aminin, kishte pësuar një goditje në zemër në kohën që mbahej në paraburgim dhe si rezultat humbi jetën. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, familja e saj e kundërshtoi këtë pretendim të autoriteteve.

 

Pothuajse menjëherë, pati reagime të forta në Iran dhe botë për trajtimin e ashpër të Mahsa Aminit dhe shumë të tjerëve nga autoritetet e Iranit. Pas fillimit të protestave, Teherani filloi të burgoste gazetarë kritikë ndaj regjimit.

 

Gazetarja iraniane dhe aktivistja e medias, Yeganeh Rezaian, ndoqi nga Uashingtoni trysninë e shtuar të regjimit iranian ndaj gazetarëve.

 

“Në shumë raste Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka qenë në kontakt me avokatët që përfaqësonin këta gazetarë dhe familjet e tyre. Por shpesh avokatët, me të cilët ne kemi qenë në kontakt, janë arrestuar dhe burgosur”, thotë ajo.

 

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dokumentoi rreth 100 arrestime të personelit të medias nga fundi i shtatorit, kur nisën protestat, deri në fillim të janarit, gjysma prej tyre gra.

 

“Bazuar në hulumtimin tonë vjetor në vitin 2022, në fund të vitit, jo vetëm që Irani u bë vendi që burgosi numrin më të madh të gazetarëve në botë, por ishte edhe vendi me numrin më të madh të arrestimeve të grave dhe gazetareve”, thotë Yeganeh Rezaian nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

 

Ndaj të arrestuarve ngriheshin akuza për veprime të paqarta antishtetërore, përfshirë spiunazhin, një krim i dënueshëm me vdekje.

 

Por kjo nuk ka ndodhur vetëm ndaj gazetarëve brenda Iranit. Zonja Rezaian thotë se Irani po përpiqet të heshtë edhe kritikët e tij jashtë vendit, si gezetaren e shërbimit në gjuhën farsi të Zërit të Amerikës, Masih Alinejad.

 

“Republika Islamike punësoi tre kriminelë nga Evropa Lindore. Ata ishin qartazi pjesë e një grupi kriminal, që Republika Islamike i ngarkoi të më vrisnin në territorin e Shteteve të Bashkuara”, thotë ajo.

 

Por kjo ishte vetëm njëra nga përpjekjet e tyre.

 

“Republika Islamike në fakt u përpoq së pari të më rrëmbente mua. FBI-ja arriti ta pengojë komplotin e rrëmbimit dhe lidhur me këtë ngriti akuza ndaj katër personave. Njëra prej tyre, Niloufar Bahadorifar, është tani në burg. Ajo u dënua me katër vjet burg.”

 

Gazetarja Masih Alinejad thotë se ajo nuk është frenuar nga përpjekjet e Iranit për ta sulmuar atë në Shtetet e Bashkuara.

 

“I them vetes se kam dy mundësi: të ndihem keq çdo ditë, ose t’i bëj shtypësit e mi të ndihen keq. Unë zgjodha alternativën e dytë dhe kjo më bëri më të fortë. Peshojë vetëm 45 kilogramë, nuk mbaj armë, por ata frikësohen nga unë. Ata kanë frikë nga miliona gra iraniane si unë që u thonë Jo atyre.”

 

Në Uashington, zonja Rezaian thotë se megjithëse iranianët nuk i frikësohen më regjimit si dikur, kërcënimet dhe dhuna mbeten shumë reale.

 

“Kam frikë për gazetarët. Por më vjen mirë që janë të guximshëm dhe nuk kanë frikë të thonë të vërtetën. Ata nuk kanë frikë të mbulojnë ngjarjet mbi vendin e tyre”, thotë ajo.

 

Misioni i përhershëm diplomatik i Iranit në OKB nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për koment. Por Republika Islamike, së fundmi, njoftoi faljen e dhjetëra mijëra iranianëve të arrestuar pas fillimit të protestave./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *