Subscribe

Sikur të mos mjaftonte barra e lartë e taksave në ndërtim, sektori po përballet edhe më sfida të tjera siç janë afatet për të marrë një lejë ndërtimi, duke mbajtur peng investimet private.

Burokracitë e njësive vendore, ngarkesa në punë, por dhe vështirësitë e pashpjegueshme në zyrat e kadastrës bëjnë që një leje ndërtimi të marrë në rastin ekstrem deri në 4 vite kohë.

Erjon Harizi nga bordi i Shoqatës së Ndërtuesve, i ftuar në emisionin “E-ZONE” në Vizion Plus, tha se ndërtuesit janë të shqetësuar për këto zvarritje.

“Në do ta konsideronim veten me fat në rast se një leje ndërtimi bëhej efektive brenda vitit që nga koha e aplikimit. Por një gjë e tillë nuk ndodh. Një leje merr dy apo dhe tre vite për tu  miratuar dhe për tu zbardhur. Ka dhe raste që ka marrë katër vite. Janë vonesa të pashpjegueshme. Ndërkohë që ligji e ka 3 deri në 6 muaj. Ne nuk duam gjë tjetër veçse të zbatohet ligji që është miratuar”,  tha Harizi në “E-ZONE”, Vizion Plus.

Të marrësh sot një leje ndërtimi aplikimi duhet të bëhet online. Ndërsa ligji parashikon se nëse nuk ka kthim përgjigje, heshtja quhet miratim.

“Edhe kjo pikë e ligjit nuk gjen zbatim në asnjë rast. Madje disa njësi nuk japin asnjë informacion lidhur me dokumentacion që nevojitet. Ne kërkojmë që bashkitë me fluksin më të lartë, siç është Tirana, të kenë mundësi të shtojnë staf në mënyrë që të na përgjigjen në kohë me aplikime tona”, deklaroi Harizi.

Pas zvarritjeve që vijnë nga njësitë vendore, institucioni i dytë që ndikon në tejzgjatjen e afateve është kadastra. Sipas ndërtuesve ky institucion është kthyer në një makth të vërtetë dhe deri tani sistemi që aplikohet bashkë me njerëzit që punojnë pas tij, nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për mosrespektimin e afateve ligjore./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *