Subscribe

Ministri i Brendshëm Taulant Balla inspektoi pikën kufitare të Rinasit ku u njoh nga afër me masat e marra për kalimin e qytetarëve, sidomos në prag të sezonit turistik ku pritet që të ketë flusk vizitorësh.

Gjatë bisedës me efektivët Balla u shpreh se duhet të shtohet numri i punonjësve të policisë në përputhje me banorët e vendit duke iu përafruar standarteve e vendeve të rajonit.

“Shqipëria ka një numër të ulët të raportit të punonjësve të policisë në raport dhe banorëve, ne jemi diku te 366 punonjës policie për 100 mijë banorë. Ndërsa po të krahasohemi me dy vendet fqinje që edhe konkurrentë në aspektin e turizmit, edhe pse ata kanë më shumë vite se sa ne, qoftë Kroacia, qoftë Greqia. Në Greqi e ka 520 për 100 mijë banorë, dhe në Kroaci 506 për 100 mijë banorë. Pra jemi diku te 150 punonjës policie mangët krahasuar me ata për 100 mijë banorë, që do të thotë është detyra ime dhe mbështetja e Kryeministrit që të zgjerojmë ose të shtojmë këtë numër, për t’ju ulur sadopak dhe juve oraret e qëndrimit në këtë detyrë”, tha Balla.

Balla ceku edhe problematikat që kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit në radhët e policisë, përkatësisht procesin e vetëpastrimit.

“Ne duam të shohim një shërbim kufitar të rregullt, me mirësjellje dhe pa dyshim një shërbim kufitar i cili të respektojë ligjin dhe vetëm ligjin. Ne nuk do të tolerojmë që mes nesh, në policinë kufitare, të kemi nga ata që tradhtojnë betimin e punonjësit të policisë, besimin e qytetarëve. Këtu mund të vijnë edhe qytetarë të huaj të cilët synojnë që të kalojnë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe përmes saj, të shkojnë në vende të tjera. Ne nuk duhet ta lejojmë një gjë të tillë. Edhe në largim, duhet të mos tolerojmë askënd që mund të largohet nga Shqipëria për qëllime të kërkimit të azilit”, tha Balla.

Ndër të tjera Balla u kërkoi punonjësve të kufirit që të zbatojnë kodin e etikës dhe të komunikimit me qytetarët sidomos me shtetasit e huaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *