Subscribe

Teatrot janë gati që të vënë në skenë këtë të shtunë dy vepra që i flasin mjerimit, varfërisë dhe përpjekjes për të siguruar një vakt buke për stomakun. Premierat e kësaj fundjave vënë përballë “Mallkimin e fukarenjve”, një vepër të Sam Shepard dhe tragjedinë e përditshme të një grupi punëtorësh në një fasoneri shqiptare. Ajo çka i bashkon këto dy vepra, nuk është vetëm tragjikja që çdo ditë të sjellë varfëria, por edhe rikthimi i disa prej aktorëve më të mirë shqiptarë në skenën teatrale. Regjisori Kastriot Çipi ngjit në skenën e teatrit kombëtar me “Mallkimin e fukarenjve” aktorët Yllka Mujo, Gëzim Rudi, Vasjan Lami, Artan Imami dhe të tjerë të rinj, tanimë të afirmuar si aktorë. Ndërsa, shfaqja “Made in Albania”, një prodhim tërësisht shqiptar nga dramaturgu Stefan Çapaliku sjell në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shfaqjen “Made in Albania” me aktorët Luftar Paja, Zyliha Miloti, Shegushe Bebeti, që kryeqytetit i kanë munguar këto kohë. Të dy premierat i bashkon edhe tagri i personave që mund ta shijojnë. Për shkak se këto dy drama përmbajnë nuditet të pjesshëm, fjalor të papërshtatshëm, po edhe ndonjë skenë dhune është njoftuar që nuk do të lejohet hyrja nën moshën 14 vjeç. E ndërsa fundjavën e shkuar Teatri i Operas dhe Baletit ishte i vetmi që ofronte një aktivitet kulturor, këtë fundjavë ky i fundit sjell një koncert në piano të artistit Thanas Paskali, pasi trupa e baletit do të jetë duke performuar në Podgoricë baletet “Noches” dhe La Estravaganza”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *